Mbi 100 mijë persona trajtohen për diabetin në Shqipëri, ndërsa çdo vit diagnostikohen 8 deri në 10 mijë raste të reja. Florian Toti, mjek endokrinolog në QSUT thotë se shtimi i këtyre rasteve lidhet me plakjen e popullsisë, jetesën sedentare dhe faktorë të tjerë të rrezikut.
“Shifrat e personave me diabet në Shqipëri nga viti 2025, ka kaluar numrin e 100 mijë personave të trajtuar për diabetin por nuk duhet të harrojmë që ka edhe 50% të tjerë që janë me diabet por ende nuk e dinë. Dhe çdo vit shtohen nga 8 në 10 mijë raste të reja që janë të lidhura qoftë me plakjen e popullsisë, qoftë me sedentaritetin dhe me faktorët e tjerë të rrezikut, qoftë edhe me një ndërgjegjësim më të madh të popullatës që ka filluar të kujdeset dhe të bëjë matjen e glicemisë për të zbuluar nëse ka diabet”, tha Florian Toti, mjek endokrinolog.
Mjeku Toti vë theksin tek programet e depistimit, të cilat mundësojnë zbulimin dhe parandalimin në kohë të komplikacioneve të diabetit që në rastet e rënda mund të çojnë deri në verbim, dializë apo amputim të gjymtyrëve.
“Të fillojë sa më herët programi i depistimit për komplikacionet kronike të diabetit në mënyrë që të zbulohen sa më herët. Diabeti ka shumë komplikacione të rëndësishme dhe të kushtueshme sic është nefropatia diabetike që të çon në dializë, retinopatia diabetike që çon në verbim dhe këmba diabetike që çon në amputim, ku personat me diabeti kanë një risk prej 10-15-fish më tepër krahasuar me personat pa diabet, të të njëjtës grupmoshë”, u shpreh mjeku.
Edhe rastet e diabetit të tipit 1 që prek fëmijët e moshës 1 deri 18 vjec po vijnë në rritje nga viti në vit. Sipas mjekëve endokrinologë, në Shqipër vlerësohet se janë rreth 300-400 fëmijë që jetojnë me këtë sëmundje.









