Mjetet bujqësore do të përjashtohen nga taksa e qarkullimit që qeveria propozon ta heqë nga çmimi i karburantit dhe ta kalojë te taksa vjetore e automjeteve. Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, tha në emisionin “Portofol” në Report TV se fermerët nuk do ta paguajnë këtë taksë për mjetet që përdorin në bujqësi.
Sipas Sallës, heqja e taksës nga nafta dhe përjashtimi i mjeteve bujqësore nga skema e re pritet të ulin shpenzimet e fermerëve për punimet në tokë.
Për automjetet e tjera, projektligji parashikon ndryshimin e koeficientëve sipas llojit të karburantit, që përdoren për llogaritjen e taksës vjetore. Aktualisht këta koeficientë janë 12,5 lekë për naftën dhe 10 lekë për benzinën.
Për mjetet me motor deri në 2.000 cm³, propozimi i çon koeficientët në 25 lekë për naftën dhe 20 lekë për benzinën ose gazin. Për mjetet mbi 2.000 cm³, parashikohen 26 lekë për naftën dhe 21 lekë për benzinën ose gazin.
Për autobusët, projektligji parashikon të njëjtët koeficientë si për mjetet deri në 2.000 cm³, me 25 lekë për naftën dhe 20 lekë për benzinën ose gazin. Saranda Web