Konsullata e Kosovës në Cyrih mirëpret Ismajl Baftijarin, shqiptarin që po kontribuon në zhvillimin e shkencës dhe teknologjisë
Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Cyrih ka mirëpritur Ismajl Baftijarin, themelues dhe drejtor ekzekutiv të Institutit për Shkencë dhe Teknologji (INSI), i cili u shoqërua gjatë vizitës nga Edmond Shyti.
Sipas njoftimit të konsullatës, Baftijari ka mbi dy dekada përvojë profesionale në planifikimin urban, zhvillimin hapësinor dhe integrimin e teknologjisë në sektorin publik dhe akademik. Ai ka përfunduar studimet master në Ndërtimtari në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës të Universitetit të Prishtinës, ndërsa aktualisht është kandidat për doktoratë në Universitetin Teknik të Vjenës (TU Wien), në fushën e planifikimit urban dhe hapësinor, shkruan Telegrafi.
Gjatë luftës çlirimtare, Baftijari ishte pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ndërsa pas luftës u angazhua në proceset e rindërtimit të vendit dhe planifikimin hapësinor, përfshirë bashkëpunimin me Organizatën e Kombeve të Bashkuara – UN-Habitat. Në vitin 2010 themeloi INSI-në, institucion që ofron shërbime profesionale në planifikimin urban dhe hapësinor, infrastrukturë, mobilitet të qëndrueshëm, studime mjedisore, zhvillim ekonomik dhe teknologji informative, duke u angazhuar në projekte zhvillimore në Kosovë.

Veprimtaria e tij përfshin edhe bashkautorësinë e katër udhëzuesve për planifikimin urban, të botuar nga UN-Habitat, ndër të cilët edhe “Inclusive and Sustainable Urban Planning: A Guide for Municipalities”, si dhe autorësinë e dhjetëra studimeve, planeve dhe dokumenteve profesionale. Krahas angazhimit në shkencë dhe teknologji, Baftijari merret edhe me krijimtari letrare dhe është autor i veprave “Frymë e det”, “Psalmë shpirti” dhe “Guri i zemrës”.
Në nivel evropian, ai mban pozitën e nënkryetarit të grupit punues të EU STEM Coalition për Inteligjencën Artificiale në Arsim dhe Industri, ndërsa është gjithashtu i angazhuar në veprimtarinë e Rotary./Telegrafi/
Postimi i plotë:





























