
Kryeministri Edi Rama tha një më parë nga Dublini se samiti i NATO-s mund të zhvillohet jo në vitin 2027, por ndoshta në vitin 2028. Fill pas kësaj deklarate, në disa media qarkulloi lajmi se mbajtja e Samitit në Shqipëri është anuluar. Sot Agjencia për Media dhe Informim sqaron se vendimi për organizimin e Samitit të ardhshëm të NATO-s në Tiranë mbetet i pandryshuar, por sipas MIA-s, deklarata e Ramës kishte të bënte vetëm me kohën e zhvillimit të Samitit, jo me ndryshimin e vendimit që Shqipëria do të jetë vendi pritës.
“Kryeministri Rama ka deklaruar se samiti i ardhshëm i NATO-s do të zhvillohet në Tiranë. Ky vendim mbetet i pandryshuar. Sa i përket vitit dhe datës së zhvillimit të samitit, ato përcaktohen përmes vendimmarrjes së përbashkët të vendeve aleate në Këshillin e Atlantikut të Veriut. Deklarata e djeshme e Kryeministrit është një sqarim mbi kohën e zhvillimit të Samitit dhe jo një përgënjeshtrim i vendimit për organizimin e tij në Shqipëri. Tirana si vend pritës është e konfirmuar. Koha e zhvillimit përcaktohet nga vetë Aleanca”, sqaroi MIA.
Rama dje nga Dublini shprehu bindjen se kurdo që të mbahet Samiti i ardhshëm i NATO-s, vendi organizator do të jetë Shqipëria. “Shqipëria projektohet si mikpritësja e ardhshme e samitit të NATO-s. Çështja është që nuk është arritur një qëndrim i përbashkët se kur do të zhvillohet samiti. Është e sigurtë jo në 2027. Në 2028 nëse do të ketë një samit, do të zhvillohet në Tiranë dhe kjo s’ka asnjë dyshim dhe gjithçka që thuhet pastaj rreth kësaj, janë të gjitha gjepura”, tha Rama dje nga Dublini.
