Instituti për Bashkitë e Shqipërisë ka dorëzuar komente dhe rekomandime për projektbuxhetin e pushtetit vendor për 2027, duke paralajmëruar se financimi i propozuar nuk pasqyron ende kostot dhe sfidat e reformës territoriale, që parashikon reduktimin e bashkive nga 61 në 46. Në dokumentin dërguar Komisionit për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, Instituti vlerëson pozitivisht rritjen e financimit dhe garantimin e vijimësisë së shërbimeve bazë, por thekson se buxheti i vitit 2027 nuk mund të trajtohet si një buxhet i zakonshëm pa marrë parasysh tranzicionin.
Sipas analizës, transferta e pakushtëzuar totale për pushtetin vendor parashikohet të arrijë 49.4 miliardë lekë në 2027, nga 47.3 miliardë lekë në projektbuxhetin e 2026, një rritje nominale rreth 2.4%. Instituti paralajmëron se kjo rritje nuk përkthehet automatikisht në më shumë autonomi financiare, investime apo përmirësim të shërbimeve. Kërkohet ndarje e qartë midis pjesës së rritjes që buron nga detyrimet ligjore, efekti i pagave dhe financimi i ri për autonominë vendore.
Një shqetësim tjetër lidhet me formulën e shpërndarjes së fondeve, e ndërtuar ende mbi 61 bashkitë ekzistuese. Instituti kërkon publikimin e një simulimi të shpërndarjes për 46 bashkitë e ardhshme, për të identifikuar fituesit dhe humbësit e mundshëm të financimeve pas riorganizimit. Dokumentet e projektbuxhetit nuk ofrojnë një bilanc të plotë financiar të reformës: nuk shpalosin kostot e konsolidimit, detyrimet që do të trashëgohen, shpenzimet për riorganizimin administrativ apo kursimet reale që priten.
Për këto arsye, rekomandohet hartimi i një Plani Financiar të Tranzicionit për periudhën 2027–2029, që të përfshijë inventarin e aseteve, kontratat, detyrimet, personelin, projektet në vazhdim dhe burimet e financimit për kostot e njëhershme të reformës. Instituti kërkon që bashkimi i bashkive të shoqërohet me rritje të produktivitetit, forcim të kapaciteteve profesionale dhe përmirësim të shpejtësisë së shërbimeve për qytetarët.
Mes rekomandimeve për Kuvendin dhe Ministrinë e Financave janë rritja e mbështetjes për zonat rurale e malore, vendosja e standardeve konkrete për shërbimet sektoriale dhe rishikimi i grantit të performancës prej 200 milionë lekësh për t’iu përshtatur hartës së re territoriale. Instituti kërkon raportim gjatë vitit 2027 mbi shpenzimet e tranzicionit, kursimet e realizuara, ndryshimet në personel, investimet sipas territoreve dhe cilësinë e shërbimeve publike. Sipas Institutit, suksesi i reformës duhet të matet nga ndikimi në cilësinë, aksesin dhe koston e shërbimeve për qytetarët, jo vetëm nga reduktimi i numrit të bashkive.
