Klosi: Hipotekat dhe legalizimet, mes institucioneve me më shumë ankesa nga publiku

Politikë | 3 minuta më parë

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, deklaroi se procesi i takimeve të së premtes me qytetarët, i njohur si “Prania Besnike”, po kthehet në një mekanizëm të rëndësishëm për evidentimin dhe adresimin e problematikave që hasin qytetarët me institucionet publike.

Duke folur në emisionin “3D” në RTSH 1 HD, Klosi tha se qëllimi i këtyre dëgjesave është që deputetët të dëgjojnë shqetësimet e qytetarëve dhe t’i përcjellin ato për zgjidhje në institucionet përkatëse.

“Ajo që është parim i kësaj dëgjese publike dhe ‘Pranisë Besnike’ është që deputeti është aty për të dëgjuar shqetësimin dhe për ta përcjellë atë”, u shpreh Klosi.

Sipas tij, të gjitha kërkesat dhe ankesat e qytetarëve regjistrohen në një sistem të posaçëm monitorimi, i cili ndjek ecurinë e tyre deri në zgjidhje.

“Ne kemi një sistem që menaxhon të gjithë këtë situatë. Sa ankesa janë, sa janë në afat, sa janë kthyer qytetarëve dhe sa qytetarë kanë marrë përgjigjen e tyre. Kjo është një strukturë menaxheriale që kërkon që shqetësimet dhe hallet e njerëzve të marrin zgjidhje”, tha ai.

Klosi vlerësoi se besimi i qytetarëve te ky mekanizëm është rritur nga java në javë.

“Nga e premtja në të premte, numri i atyre që besojnë në këtë sistem shtohet. Qytetarët e shohin këtë si një dritare të hapur për të shprehur problemet e tyre”, deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i PS-së.

Duke iu referuar problematikave më të shpeshta të adresuara nga qytetarët, Klosi tha se pjesa më e madhe e ankesave lidhet me pushtetin vendor.

“Institucioni që ka më shumë ankesa është pushteti vendor në të gjithë Shqipërinë, sepse aty përfshihen problemet e komunitetit, rrugët, kanalet, infrastruktura dhe një sërë çështjesh të përditshme që prekin qytetarët”, u shpreh ai.

Sipas Klosit, ndër institucionet qendrore, më shpesh në fokus të ankesave të qytetarëve janë strukturat që lidhen me hipotekat dhe procesin e legalizimeve.

“Nga institucionet qendrore, institucioni i hipotekave dhe legalizimeve është ndër ata që ka më shumë ankesa”, tha ai.

Megjithatë, Klosi theksoi se gjatë qeverisjes socialiste janë dhënë zgjidhje për një numër të madh dosjesh të trashëguara ndër vite.

“Duhet thënë se gjatë viteve të qeverisjes socialiste janë zgjidhur mbi 300 mijë raste legalizimesh. Megjithatë, është e vërtetë që ky proces duhej të ishte mbyllur dhe mbetet një nga shqetësimet që kemi diskutuar në takimet tona”, deklaroi ai.

Sipas Sekretarit të Përgjithshëm të PS-së, të dhënat e mbledhura nga takimet periodike me qytetarët po shërbejnë si bazë për identifikimin e problematikave kryesore në administratë dhe për orientimin e ndërhyrjeve që kërkohen nga institucionet përgjegjëse.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme