Një tanker u përplas mesditën e së premtes me një anije turistike të ankoruar në lumin Misisipi, në portin e New Orleans, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Autoritetet portuale bëjnë të ditur se përplasja ndodhi rreth orës 12:30, sipas orës lokale. Në aksident u përfshinë tankeri Atlantic Asphalt dhe anija turistike American Heritage, e cila i përket kompanisë American Cruise Lines. Në bordin e saj ishin më shumë se 130 persona, pasagjerë dhe pjesëtarë të ekuipazhit.
Të lidhura
None found
Ekipet e emergjencës shkuan menjëherë në vendngjarje dhe nisën ndërhyrjen për shpëtimin e personave të përfshirë. Autoritetet e qytetit të New Orleans njoftuan se disa persona janë nxjerrë nga uji, ndërsa kërkimet dhe operacioni për të shpëtuar të tjerët vazhdojnë.
Në pamjet e shpërndara nga dëshmitarët shihet tankeri teksa i afrohet anijes turistike dhe përplaset me të. Regjistrime të tjera tregojnë persona me jelekë shpëtimi në ujë dhe ekipet e emergjencës që ndërhyjnë për t’i nxjerrë në siguri.
American Cruise Lines konfirmoi evakuimin e pasagjerëve dhe ekuipazhit të American Heritage. Kompania bëri të ditur gjithashtu se po bashkëpunon me Rojën Bregdetare amerikane dhe autoritetet lokale.
Raportimet fillestare tregojnë se anija turistike u dëmtua në mënyrë të konsiderueshme dhe filloi të merrte ujë pas goditjes. Në komunikimet me radio të shërbimeve të emergjencës u raportua për persona në ujë dhe u kërkua ndërhyrje e menjëhershme.
Ende nuk është publikuar një bilanc zyrtar i të plagosurve dhe as të dhëna për gjendjen e tyre shëndetësore. Shkaku i përplasjes nuk dihet dhe po hetohet.
Në reagimin e saj, American Cruise Lines u shpreh thellësisht e shqetësuar për të gjithë personat e përfshirë në ngjarje.
Guvernatori i Luizianës, Jeff Landry, njoftoi se po mban kontakte me autoritetet lokale dhe se do të udhëtojë drejt New Orleans. Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit në SHBA (NTSB) konfirmoi se është vënë në dijeni të incidentit.
Ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë, autoritetet po përpiqen të përcaktojnë rrethanat në të cilat ndodhi aksidenti.








