Në fillim dukej se nuk kishte gjasa të arrihej një marrëveshje se kush do ta përfaqësonte Evropën në negociatat për një zgjidhje paqësore në Ukrainë. Por tani krerët e shteteve dhe të qeverive evropiane kanë rënë dakord: "Ekipi negociator evropian për paqen në Ukrainë” do të përbëhet "nga institucionet e Bashkimit Evropian dhe vendet E5”, deklaroi presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, pas samitit joformal të BE-së në Dublin. Vendet e ashtuquajtura E5 janë Gjermania, Britania e Madhe, Franca, Italia dhe Polonia. Ndërsa institucionet e BE-së do të përfaqësohen nga Komisioni Evropian dhe Këshilli i BE-së, sqaroi presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. "Ne do ta mbështesim Ukrainën dhe do të mbrojmë interesat tona”, theksoi ajo. Megjithatë, mbetet e paqartë se kush do të ulet në tryezën e bisedimeve të nivelit më të lartë me presidentin amerikan Donald Trump, kreun e Kremlinit Vladimir Putin dhe presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.