Aktori dhe shkrimtari britanik David Walliams po hetohet nga Policia Metropolitane e Londrës pas marrjes së disa denoncimeve për krime të dyshuara seksuale, të cilat dyshohet se kanë ndodhur vite më parë.
Policia bëri të ditur se gjatë ditëve të fundit oficerët kanë marrë një numër denoncimesh që përfshijnë një burrë në të 50-at, ndërsa nuk ka konfirmuar publikisht identitetin e tij në njoftimin fillestar.
Sipas “The Guardian”, disa gra kanë ngritur akuza ndaj aktorit për sjellje të papërshtatshme seksuale. Në raportim përmenden edhe pretendime nga gra që kanë deklaruar se kanë qenë adoleshente në kohën kur janë njohur me Walliams.
Walliams ka mohuar akuzat e publikuara në media.
“Unë nuk jam një grabitqar seksual. Nuk e kam shkelur kurrë ligjin”, është shprehur ai.
Superintendenti i Detektivëve, Mike Cagney i cili drejton ekipin hetimor, u ka bërë thirrje personave që mund të kenë qenë viktima të krimeve seksuale të paraqiten pranë policisë, pavarësisht se kur kanë ndodhur ngjarjet.
“Ne do të inkurajonim këdo që ka qenë viktimë e një krimi seksual të paraqitet dhe të na flasë, pavarësisht se kur ka ndodhur”, deklaroi Cagney.
Hetimet vijojnë, ndërsa deri më tani nuk është bërë e ditur që ndaj aktorit të jetë ngritur një akuzë zyrtare penale.










Komente
Komento