KLSH zbulon shkelje në 14 tendera të zhvilluara nga bashkia e Durrësit gjatë drejtimit nga Emirjana Sako

Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) ka gjetur shkelje të shumta në 14 tendera të zhvilluar nga Bashkia e Durrësit që drejtohet nga Emirjana Sako, me një fond limit në total prej rreth 1.85 miliardë lekësh të reja, ose 20 milionë euro.
Gjetjet janë pasqyruar në raportin e auditimit, dhe i referohen periudhës kur bashkia drejtohet nga Emirjana Sako.
Sipas audituesve, shkeljet përfshijnë një sërë problematikash në zbatimin e Ligjit për Prokurimet Publike, duke nisur nga shpallja fituese e kompanive që nuk plotësonin kriteret e përcaktuara, deri te skualifikimi i operatorëve ekonomikë që nuk ndodheshin në kushtet e përjashtimit nga gara.
Tenderat e konstatuar me probleme lidhen kryesisht me investime në infrastrukturë dhe projekte rindërtimi, ndërsa fondet limit të procedurave variojnë nga rreth 300 mijë euro deri në mbi 3 milionë euro.
Në raport evidentohen edhe kompanitë që kanë përfituar nga këto procedura. Mes tyre është “Rajli Ndërtim”, e shpallur fituese në dy tendera për projekte rindërtimi, me një fond limit të përbashkët prej mbi 6 milionë eurosh.
Në listën e operatorëve ekonomikë fitues është edhe “Pepa Group”, në pronësi të Jetmir Pepës, i akuzuar nga SPAK për trafik droge. Kompania ka fituar tenderin për ndërtimin e një shkolle në Sukth, me një fond limit prej afro 3 milionë eurosh.
Për shkeljet e konstatuara, KLSH i ka rekomanduar Agjencisë së Prokurimit Publik nisjen e një hetimi administrativ dhe marrjen e masave për vënien para përgjegjësisë të zyrtarëve bashkiakë të përfshirë në veprimet e paligjshme.
360grade.al



















