Ujësjellësi i Kamzës, një “piramidë” e falimentuar: Dy në tre litra ujë nuk faturohen, Rakip Suli e ktheu në “çerdhe” punësimi

Ujësjellësi i Kamzës po funksionon me humbje të jashtëzakonshme të ujit, një administratë që zgjerohet nga viti në vit dhe probleme serioze me rekrutimin e punonjësve. Ndërsa qytetarët furnizohen me ujë vetëm pak orë në ditë, ndërmarrja publike ka shtuar dhjetëra punonjës dhe ka rritur ndjeshëm shpenzimet për paga.
Kjo është panorama që del nga raporti përfundimtar i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), i cili ka audituar veprimtarinë e Ujësjellës Kanalizime Kamëz për periudhën 2023–2025, të cilin e ka konsultuar skyweb.al
Sipas KLSH-së, gjatë vitit 2025, nga 10.2 milionë metra kub ujë të prodhuar dhe të blerë, vetëm 3.77 milionë metra kub janë faturuar. Pjesa tjetër, rreth 6.45 milionë metra kub, ose 63% e totalit, rezulton ujë pa të ardhura.
Me fjalë të tjera, nga çdo tre litra ujë që futen në sistemin e Ujësjellësit të Kamzës, gati dy litra nuk faturohen.
Situata ka qenë edhe më problematike në vitet e mëparshme. Në vitin 2023, niveli i ujit pa të ardhura ishte 71%, ndërsa në vitin 2024 arriti në 67%.

Megjithëse treguesi ka ardhur në përmirësim, ai vijon të mbetet shumë larg nivelit prej 30% që konsiderohet i pranueshëm nga Enti Rregullator i Ujit.
KLSH evidenton se një pjesë e humbjeve vjen nga rrjeti i amortizuar, por një peshë të rëndësishme zënë edhe lidhjet e paligjshme dhe uji i pafaturuar.
Për më tepër, ndërmarrja nuk ka kryer përllogaritje të veçanta për sasinë e ujit që humbet nga lidhjet e paligjshme, duke e përfshirë atë në treguesin e përgjithshëm të humbjeve teknike dhe ekonomike.
Por ndërsa uji humbet dhe të ardhurat nuk realizohen, numri i punonjësve vazhdon të rritet.
Sipas raportit, Ujësjellësi i Kamzës kishte mesatarisht 250 punonjës në vitin 2023, 280 në vitin 2024 dhe 309 në vitin 2025.

Pra, brenda vetëm dy viteve, administrata është zgjeruar me 59 punonjës, ose rreth 24%.
Paralelisht, kostot e personelit janë rritur nga rreth 222.9 milionë lekë në vitin 2023 në 307.7 milionë lekë në vitin 2025. Bëhet fjalë për 84.8 milionë lekë shpenzime vjetore shtesë për personelin, krahasuar me dy vite më parë.
Raporti evidenton se në vitin 2025 shpenzimet e punës përbënin rreth 69% të kostove direkte të operimit dhe mirëmbajtjes së ndërmarrjes.
Numri i punonjësve për 1.000 lidhje ujësjellësi ka arritur në 5.54, duke tejkaluar treguesin e referencës prej 4.6 të përcaktuar nga Enti Rregullator i Ujit.
Këto zhvillime kanë ndodhur në një ndërmarrje që zotërohet plotësisht nga Bashkia Kamëz, e drejtuar nga Rakip Suli.
Sipas dokumentacionit të shqyrtuar nga KLSH, vendimet për ndryshimin dhe zgjerimin e strukturës së punonjësve janë miratuar nga organet drejtuese të ujësjellësit, përfshirë Asamblenë e Përgjithshme, ku bashkia përfaqësohet nga kryetari i saj.
15 punonjës nuk plotësonin kriterin e arsimit për vendet e punës
Gjetjet e auditimit ngrenë pikëpyetje jo vetëm për numrin e punonjësve, por edhe për mënyrën se si janë përzgjedhur ata.
KLSH ka konstatuar se administratorët e ujësjellësit nuk kishin hartuar dhe miratuar një procedurë të rregullt rekrutimi.
Në 15 raste, punonjësit ishin rekrutuar pa plotësuar kriterin e arsimit të kërkuar për pozicionin përkatës.
Audituesit kanë evidentuar gjithashtu mungesë të procedurave transparente të punësimit, mospublicim të rregullt të vendeve vakante dhe dosje personeli me dokumentacion të paplotë.
Në disa raste mungonin diploma ose dokumente të tjera të nevojshme, ndërsa në dosje të caktuara nuk gjendeshin as kontratat individuale të punës.
KLSH evidenton edhe formulime të paqarta në kriteret arsimore të pozicioneve, të cilat mund të përdoren për të justifikuar emërime që nuk përputhen me kërkesat e vendit të punës./skyweb.al
360grade.al



















