
Bllokimi i fluturimeve në nivel kombëtar në SHBA është hequr. Lajmi bëhet i ditur nga gazeta The New York Times, duke iu referuar Administratës Federale të Aviacionit (FAA).
I gjithë trafiku ajror drejt Shteteve të Bashkuara, që vinte nga vendet anëtare të Eurocontrol-it, ishte pezulluar “me kërkesë të FAA-së, për shkak të problemeve teknike”.
Sipas Fox News, presidenti Donald Trump ka deklaruar se defekti në sistemet e Administratës Federale të Aviacionit nuk duket të ketë lidhje me një sulm kibernetik, pasi “nga verifikimet nuk është konstatuar asnjë gjurmë e tillë”, dhe as me inteligjencën artificiale (AI). Shkaku dyshohet të jetë infrastruktura e vjetëruar dhe me probleme funksionimi.
Sipas Fox News, deri tani askush nuk ka marrë përgjegjësinë për këtë ngjarje.
Ndërkohë, sekretari amerikan i Transportit, Sean Duffy, ia ka atribuar problemet në komunikimet elektronike “switch-eve dhe router-ave të mbingarkuar me të dhëna”, të cilat shkaktuan ndërprerjen e komunikimeve dhe më pas bllokimin e fluturimeve.
Duffy i ka kërkuar Kongresit amerikan një fond prej 50 miliardë dollarësh për modernizimin dhe përmirësimin e infrastrukturës. Sipas tij, si pasojë e kësaj situate, “dhjetëra mijëra pasagjerë kanë mbetur të bllokuar”.




