Vendosni fjalën kyçe....

Përplaset një cisternë me anijen turistike në Nju Orlins, 129 pasagjerë në bord



Një cisternë është përplasur të premten me një anije turistike në lumin e Nju Orlinsit, duke bërë që kjo e fundit të anojë dhe të zhytet pjesërisht në ujë. Në bord ndodheshin rreth 129 pasagjerë.

Zyra e kryetares së bashkisë së Nju Orlinsit, Helena Moreno, bëri të ditur se disa persona janë shpëtuar, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë.

Sipas Autoritetit Portual të Nju Orlinsit, në anijen turistike “American Heritage” ndodheshin rreth 129 pasagjerë në momentin e incidentit.

Pamjet nga vendngjarja tregojnë se cisterna, shumë më e madhe në përmasa, u përplas me anijen turistike me rrota lopatë, e cila duket se ishte e ankoruar në momentin e goditjes. Pas përplasjes, njëra anë e anijes turistike u zhyt më tej në ujë.

Sipas Euronews, anija kishte mbërritur në port rreth dy orë përpara orarit të parashikuar, për të nisur zbarkimin e pasagjerëve.

Autoriteti Portual bëri të ditur se pasagjerët po sistemohen në ndërtesën e administratës së portit. Deri tani, autoritetet nuk kanë dhënë informacion nëse ka persona të plagosur apo viktima.