Partia Socialiste mblidhet sot në orën 10:30 në Asamblenë Kombëtare në Lalëz, në një resort në Gjirin e Lalëzit, Durrës. Takimi do të hapet me fjalën e kryeministrit dhe kryetarit të PS-së, Edi Rama, dhe do të vijojë me diskutime mbi organizimin e partisë dhe objektivat politike, me theks të veçantë për përgatitjet për zgjedhjet vendore të 9 majit 2027, riorganizimin e strukturave dhe përzgjedhjen e kandidatëve për kryebashkiakë.
Një nga çështjet kryesore është kandidatura për bashkitë e mëdha, veçanërisht Tirana dhe Shkodra. Sipas raportimeve të gazetarit Muhamed Veliu të Top Channel, për Tiranën është përmendur emri i Ervin Demos, ndërsa për Shkodrën emri i Enea Karakaçit, i cili mund të përballet me Kliti Hotin. Po ashtu diskutohen edhe mundësitë që disa ministra të lënë postet qeveritare për t’u angazhuar në garën për drejtimin e bashkive. Deri tani nuk ka konfirmime zyrtare për kandidaturat, dhe mbetet për t’u parë nëse Rama do të japë sinjale konkrete gjatë fjalës së tij.
Marrëdhënia mes kryeministrit dhe kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, pritet të jetë një tjetër pikë kyçe. Veliaj ndodhet në paraburgim në Fier dhe i ka dërguar një kërkesë sekretarit të Përgjithshëm të PS-së, Blendi Klosi, dhe SPAK-ut për të mundësuar pjesëmarrjen në Asamble, fizikisht ose përmes videokonferencës. Ai ka bërë deklarata duke pretenduar se urdhrin për transferimin në Fier e ka dhënë Rama dhe se, në takimin me ministrin Gogu në burg, i është dhënë ultimatum që të delegojë drejtimin e bashkisë.
Asambleja ngre gjithashtu pyetje për mundësinë e ndryshimeve në kabinetin qeveritar, duke pasur parasysh se Asambleja e shtatorit 2023 shërbeu si moment për riorganizim të rëndësishëm të qeverisë. Në rend është edhe mocioni i Elisa Spiropalit, që kërkon hapjen e PS-së dhe një qasje të re politike, të artikuluar përmes propozimit për një “Marrëveshje të Re për Shqipërinë”.
Asambleja zhvillohet ndërsa mazhoranca përballet me presionin e protestave të muajve të fundit, përfshirë protestat studentore. Përveç orientimeve për zgjedhjet vendore dhe mobilizimin e strukturave në 46 bashki, mbetet për t’u parë nëse sot do të miratohen vendime konkrete për drejtues, kandidatë dhe përbërjen e kabinetit. Burimi: Top Channel.
