Socialistët mblidhen sot në Asamblenë Kombëtare. Mbledhja e organit më të lartë drejtues të PS-së vjen në një kohë jo të qetë në selinë rozë.
Në takimin e parë përgatitor për sfidën e radhës elektorale, vendoret e 9 majit, Rama do të duhet të adresojë edhe shqetësimet brenda radhëve për sfidimin nga protestat që prej majit, përplasjet e brendshme, ku prin ‘lufta’ e hapur e kryebashkiakut të Tiranës, apo edhe marrëdhënien me drejtësinë dhe dosjet e ‘nxehta’ të SPAK. Kryesocialisti, i cili ka vendosur t’i mbledhë të tijtë larg kryeqytetit, në një resort turistik në Gjirin e Lalzit, pritet ta nisë mbledhjen me fjalën e tij në orën 10:00. Axhendë tjetër përveç fjalës së Ramës ende nuk është bërë publike. Përgatitja për zgjedhjet lokale dhe formula se si socialistët do t’i zgjedhin kandidatët për 46 kryetarë bashkie, pritet të jetë në qendër të vëmendjes.
Emra të rëndësishëm tashmë janë hedhur në opinionin publik nga media si kandidatura të mundshme por ‘hermetizmi’ në kampin socialist vijon të jetë i fortë. Erion Braçe ka paralajmëruar se nuk do ta lejojë pa tentuar një proces brenda partiak për përcaktimin e kandidatëve, me ambicien e pa fshehur për të qenë alternativa socialiste për kryebashkiak të Tiranës. Për kryeqytetin mes emrave socialistë alternativa janë edhe Ogerta Manastirliu, e cila pritet të konfirmohet nëse do të jetë sërish pasi Rama e propozoi për zgjedhjet e parakohshme të nëntor 2025, të mbetura në tentativë. Disa mund të jenë “kurbani” i protestave dhe pakënaqësisë së akumuluar të qytetarëve.
Kjo është asambleja e parë e thirrur nga Rama pas protestave të flamingove, dhe atyre të dhunshme të tetorit. Kreu i bashkisë Tiranë Erion Veliaj ka kërkuar po ashtu që të jetë prezent në mbledhjen e Asamblesë së PS. Ai ka nënvizuar se masa e arrestit nuk duhet ta privojë nga e drejta e ushtrimit të detyrave politike.














