Sot shënohet Dita Botërore e Diabetit, e cila synon të rrisë ndërgjegjësimin për një nga sëmundjet kronike më të përhapura në botë, duke vënë theksin te parandalimi, diagnostikimi në kohë dhe trajtimi i vazhdueshëm.
Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), më shumë se 500 milionë të rritur në mbarë botën jetojnë me diabet. Rritja më e shpejtë e numrit të të prekurve është regjistruar në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.
Diabeti është një sëmundje kronike që shfaqet kur pankreasi nuk prodhon mjaftueshëm insulinë ose kur organizmi nuk arrin ta përdorë në mënyrë efektive atë. Pa menaxhimin e duhur, sëmundja mund të shkaktojë komplikacione të rënda shëndetësore, si verbëri, insuficiencë renale, infarkt, goditje në tru dhe amputim të gjymtyrëve të poshtme.
Ekspertët e shëndetit theksojnë rëndësinë e ndryshimit të stilit të jetesës për të ulur rrezikun e shfaqjes së diabetit të tipit 2. Ushqyerja e shëndetshme, aktiviteti i rregullt fizik dhe shmangia e duhanit janë ndër masat kryesore që ndihmojnë në parandalimin ose vonimin e shfaqjes së sëmundjes.
Ndërkohë, për personat që janë diagnostikuar me diabet, kontrollet e rregullta mjekësore, trajtimi me medikamente dhe monitorimi i vazhdueshëm i gjendjes shëndetësore janë thelbësore për të mbajtur nën kontroll sëmundjen dhe për të parandaluar komplikacionet.
Dita Botërore e Diabetit shërben si një thirrje për më shumë informim dhe kujdes shëndetësor, pasi diagnostikimi i hershëm dhe trajtimi i duhur mund të bëjnë një ndryshim të rëndësishëm në cilësinë e jetës së miliona njerëzve.


