Përcaktohet ekipi i Europës për negociatat për Ukrainën

Përcaktohet ekipi i Europës për negociatat për Ukrainën

09:26, 14/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Në fillim dukej se nuk kishte gjasa të arrihej një marrëveshje se kush do ta përfaqësonte Europën në negociatat për një zgjidhje paqësore në Ukrainë.

Por tani krerët e shteteve dhe të qeverive evropiane kanë rënë dakord: ‘Ekipi negociator evropian për paqen në Ukrainë’ do të përbëhet ‘nga institucionet e Bashkimit Evropian dhe vendet E5’, deklaroi presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, pas samitit joformal të BE-së në Dublin.

Vendet e ashtuquajtura E5 janë Gjermania, Britania e Madhe, Franca, Italia dhe Polonia. Ndërsa institucionet e BE-së do të përfaqësohen nga Komisioni Evropian dhe Këshilli i BE-së, sqaroi presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. ‘Ne do ta mbështesim Ukrainën dhe do të mbrojmë interesat tona’, theksoi ajo.

Megjithatë, mbetet e paqartë se kush do të ulet në tryezën e bisedimeve të nivelit më të lartë me presidentin amerikan Donald Trump, kreun e Kremlinit Vladimir Putin dhe presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.

Zgjidhje kompromisi për ekipin negociator

Parimet dhe qëndrimi i BE-së në negociata janë të njohura ‘dhe ekipi ynë evropian do të vazhdojë të veprojë në koordinim të ngushtë dhe me unitet të plotë’, tha Costa.

Evropa duhet ‘të flasë me një zë të qartë dhe të bashkuar në të gjitha bisedimet që përcaktojnë të ardhmen e Ukrainës dhe sigurinë e kontinentit tonë’, theksoi ai. Sipas tij, BE-ja luan ‘një rol qendror në bisedimet për të ardhmen evropiane të Ukrainës, rindërtimin dhe mirëqenien e saj’.

Diskutimi mbi atë se kush duhet ta përfaqësojë Europën në tryezën e negociatave është intensifikuar kohët e fundit, në sfondin e bisedimeve mes Ukrainës dhe Rusisë të ndërmjetësuara nga SHBA-ja.

Ndërsa shtetet më të vogla anëtare dhe institucionet e BE-së mbështetën përfaqësuesen e lartë të BE-së për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas, ose presidentin e Këshillit Evropian, Costa, vende si Gjermania dhe Italia kërkonin të dërgonin negociatorët e tyre në bisedime.

Zgjidhja që përfshin vendet E5 dhe institucionet e BE-së duket se është një përpjekje për të harmonizuar këto dy kërkesa.

Ndërkohë, pala ruse po i zbeh pritshmëritë e vendeve evropiane. Sipas zëdhënëses Maria Zakharova, Ministria e Jashtme e Rusisë nuk ka dijeni për ndonjë marrëveshje që parashikon përfshirjen e ardhshme të shteteve evropiane në negociatat për Ukrainën.

Edhe para se të bëhej publik ekipi negociator evropian, ajo deklaroi: ‘Me sa është në dijeni Ministria e Jashtme e Rusisë, kjo çështje nuk është diskutuar gjatë bisedimeve me Steve Witkoff dhe Jared Kushner në Moskë.’ Me këtë deklaratë ajo iu përgjigj një kërkese për të komentuar një njoftim përkatës nga Uashingtoni.

Më herët, negociatori amerikan Jared Kushner, pas një takimi gjatë natës me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, kishte bërë të ditur se të dyja palët në luftë kishin rënë dakord për përfshirjen e evropianëve në raundin e ardhshëm të negociatave. Para takimit me Zelenskyn, Kushner dhe i dërguari i posaçëm i SHBA-së, Steve Witkoff, kishin zhvilluar të enjten (12.11.2026) bisedime me presidentin rus Vladimir Putin.

Megjithatë, sipas agjencisë ruse të lajmeve Ria Novosti, në këtë takim nuk mori pjesë asnjë përfaqësues i Ministrisë së Jashtme. Sipas agjencisë, presidentin rus e shoqëruan vetëm këshilltari i tij për politikën e jashtme, Yuri Ushakov, kryenegociatori rus Vladimir Medinsky dhe negociatori Kirill Dmitriev.

Në Dublin, kancelari gjerman Friedrich Merz i cilësoi deklaratat e fundit, në dukje kontradiktore, nga Moska si ‘lojën e zakonshme’.

ard/dpa

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco