Donald Trump, Vladimir Putin dhe Xi Jinping pritet të zhvillojnë një takim të përbashkët trepalësh në Kinë javën e ardhshme. Lajmi është konfirmuar nga Shtëpia e Bardhë, e cila bëri të ditur se tre liderët do të takohen në kuadër të vizitës së presidentit amerikan në qytetin Shenzhen, ku do të zhvillohet samiti i Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC).
Takimi mes presidentëve të tri fuqive më të mëdha bërthamore në botë pritet të përqendrohet te çështje të sigurisë ndërkombëtare, me reduktimin e armëve bërthamore në krye të agjendës. Irani mund të jetë gjithashtu pjesë e diskutimeve, ndërsa Ukraina nuk pritet të trajtohet në këtë takim.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Olivia Wales, konfirmoi planin për takimin trepalësh, duke theksuar se Trump synon të diskutojë reduktimin e arsenaleve bërthamore në nivel global.
“Presidenti e ka bërë të qartë se, ndër tema të tjera, ai do të diskutojë reduktimin e armëve bërthamore në botë, përhapjen e të cilave Presidenti Trump e konsideron shumë të rrezikshme”, deklaroi Wales.
Megjithatë, një zyrtar i lartë amerikan, i cituar nga agjencitë AP dhe Reuters, bëri të ditur se nuk pritet që bisedimet të përfundojnë me një marrëveshje konkrete. Deri më tani, Moska dhe Pekini nuk kanë komentuar zyrtarisht njoftimin e Uashingtonit.
Trump do të zhvillojë edhe një takim dypalësh me Xi Jinping
Trump pritet të mbërrijë në Shenzhen të mërkurën në mbrëmje, për samitin dyditor të APEC-ut, ku marrin pjesë 21 ekonomi anëtare.
Të enjten, presidenti amerikan do të zhvillojë edhe një takim dypalësh me homologun kinez Xi Jinping. Ky do të jetë takimi i katërt mes tyre që prej rikthimit të Trumpit në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2025.
“Presidenti Trump do ta përfundojë vizitën e tij në Kinë me një takim trepalësh midis presidentit të Shteteve të Bashkuara, presidentit të Republikës Popullore të Kinës dhe presidentit të Federatës Ruse”, tha Wales.
Vizita e Trumpit në Azi do të nisë me pjesëmarrjen në samitin e Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN) në Filipine, të martën.
Shtëpia e Bardhë e ka cilësuar këtë udhëtim si një mundësi për të avancuar interesat amerikane në rajonin Indo-Paqësor.
Kontrolli i armëve bërthamore, sfida kryesore
Takimi i paralajmëruar zhvillohet në një moment të ndjeshëm për sigurinë globale, pasi në shkurt skadoi traktati i fundit i rëndësishëm për kontrollin e armëve bërthamore mes SHBA-së dhe Rusisë.
Përfundimi i marrëveshjes la dy vendet me arsenalet më të mëdha bërthamore në botë pa kufizimet kryesore të këtij traktati, duke shënuar një pikë kthese në bashkëpunimin për kontrollin e armëve, i cili kishte ndihmuar në uljen e tensioneve gjatë dhe pas Luftës së Ftohtë.
Kombet e Bashkuara u kanë bërë thirrje Uashingtonit dhe Moskës të bien dakord pa vonesë për një kuadër të ri bashkëpunimi.
Trump ka deklaruar se synon të negociojë një marrëveshje më të mirë, e cila do të përfshinte edhe Kinën, në kushtet kur Pekini po zgjeron arsenalin e tij bërthamor.
Rusia dhe Kina, partneriteti që shqetëson Perëndimin
Marrëdhëniet mes Moskës dhe Pekinit janë forcuar ndjeshëm që prej nisjes së pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022. Kina është shndërruar në një partner të rëndësishëm tregtar për Rusinë, e cila përballet me sanksione të gjera perëndimore.
Ndërkohë, zhvillimet e fundit në politikën amerikane ndaj Moskës kanë shtuar shqetësimet në Evropë. Marrëveshjet për importin e naftës ruse nga SHBA-ja dhe pezullimi i disa sanksioneve që preknin blerësit kryesorë të energjisë ruse, përfshirë Kinën, kanë ngritur pikëpyetje mbi qëndrimin e administratës Trump ndaj Kremlinit.
Nga ana tjetër, Trump dhe Xi janë përpjekur të paraqesin një përmirësim të marrëdhënieve mes dy vendeve gjatë takimeve në Pekin dhe Uashington këtë vit. Megjithatë, përparimi në çështjet kryesore mbetet i kufizuar.
Tregtia, gara për dominimin e inteligjencës artificiale dhe çështja e Tajvanit vijojnë të jenë pika të nxehta në marrëdhëniet mes dy fuqive. Edhe lufta në Iran përbën një tjetër çështje delikate, pasi Kina është blerësi më i madh i naftës iraniane dhe partneri kryesor tregtar i Teheranit.
Takimi i paralajmëruar trepalësh do të vendosë përballë njëri-tjetrit tre liderët që drejtojnë fuqitë me ndikim vendimtar në rendin ndërkombëtar, në një kohë kur çështjet bërthamore, konfliktet rajonale dhe rivalitetet ekonomike po riformësojnë marrëdhëniet mes tyre.


