Nga Teresa Dominguez, LEVANTE EMV
Vetëm dy ditë pasi u bë e ditur sekuestrimi i afro tri tonëve kokainë në Portin e Valencias, forcat e sigurisë kanë goditur sërish rrjetet e narkotrafikut, të cilat po përmbytin tregun evropian me këtë drogë, tregtia e së cilës vijon të rritet.
Këtë herë, nga tregu i zi janë nxjerrë pothuajse dy tonë kokainë, konkretisht 1.763 kilogramë, të fshehura në mënyrë të përkryer mes një ngarkese mallrash, në këtë rast trungje druri, të dërguara përmes dy kompanive, njëra ekuadoriane dhe tjetra spanjolle.
Deri tani janë arrestuar katër persona: dy shtetas spanjollë, një shqiptar dhe një kolumbian.
Bëhet fjalë për një operacion të përbashkët, të zhvilluar nga njësia kundër drogës EDOA e Gardës Civile në Valencia, njësia qendrore Udyco e Policisë Kombëtare dhe zyrtarët e Mbikëqyrjes Doganore në Valencia. Operacioni nisi pas marrjes së informacioneve nga strukturat e ndryshme të përfshira në luftën kundër trafikut të drogës në shkallë të gjerë përmes rrugëve detare.
Duke u bazuar në këto informacione, të martën, më 10 nëntor, agjentë nga të tri strukturat morën pjesë në kontrollin e dy kontejnerëve të dyshimtë, të cilët ishin nisur dy javë më parë nga Guayaquil, në Ekuador. Ky është porti latinoamerikan nga i cili niset rreth 70 deri në 80 për qind e kokainës në botë.
Të dy kontejnerët iu nënshtruan një kontrolli radiologjik me skanerin e lëvizshëm Medusa të Doganave. Skanimi konfirmoi praninë e një ngarkese të fshehur brenda mallrave që në dukje ishin të ligjshme. Ngarkesa dyshohej se ishte kokainë, pasi në imazhin e skanerit dalloheshin dy dendësi qartësisht të ndryshme.
Misioni: të ndiqeshin kamionët
Pas kësaj, gjyqtari i Gjykatës së Instruksionit nr. 20 në Valencia, i cili ishte në shërbim roje, autorizoi dorëzimin e kontrolluar të drogës. Kjo bëri të mundur aktivizimin e një sistemi mbikëqyrjeje, përmes të cilit agjentët ndoqën procesin e nxjerrjes së kontejnerëve, ngarkimin e tyre në dy kamionë dhe largimin nga territori i portit.
Ndjekja e kamionëve bëri të mundur zbulimin se destinacioni i tyre ishte një magazinë industriale në Aldaia, ku agjentët ndërhynë në momentin kur ngarkesa po shkarkohej.
Deri tani janë arrestuar katër persona, të gjithë burra, të cilët dyshohet se janë përgjegjës për magazinën dhe shkarkimin e drogës. Megjithatë, hetimet vijojnë për të zbuluar se kush qëndron realisht pas kësaj ngarkese të re kokaine.
Sërish në skenë Karteli i Ballkanit
Sipas burimeve të konsultuara nga gazeta, të arrestuarit janë dy personat përgjegjës për shkarkimin e kamionëve – shtetasit spanjollë – si dhe përfaqësuesit e prodhuesit të drogës – shtetasi kolumbian – dhe të pronarit e financuesit të dërgesës – shtetasi shqiptar.
Kjo, sipas hetuesve, tregon se edhe pas kësaj ngarkese qëndron sërish Karteli i Ballkanit.
Hetuesit e EDOA-s, UDYCO-s dhe Doganave janë angazhuar maksimalisht për të sekuestruar drogën, e cila ishte fshehur në mënyrë të përkryer brenda trungjeve të drurit. Bëhet fjalë për një metodë shumë të ndërlikuar fshehjeje, e cila nuk ishte hasur prej vitesh.
Rikthimi i aktivitetit në Portin e Valencias
Pavarësisht rënies së aktivitetit të konstatuar në muajt pas goditjes më të madhe ndaj rrjeteve që kishin korruptuar Portin e Valencias dhe e kishin kthyer atë në një pikë të madhe hyrjeje për drogën që vinte nga vendet e Amerikës Qendrore dhe Jugore, trafikantët duket se po rimarrin kontrollin e kalatave të portit.
Ata po e përdorin sërish portin si një nga destinacionet e tyre të preferuara për të futur mallrat narkotike, me synimin për t’i transportuar më pas drejt Madridit dhe pjesës tjetër të Evropës.
Këtë e dëshmojnë jo vetëm 1.763 kilogramët e sekuestruar së fundmi, por edhe 2.600 kilogramët e kokainës që hynë në gusht. Kjo sasi ishte fshehur në hapësira të dyfishta brenda paletave, mbi të cilat transportoheshin arra kokosi të plota.
Ngarkesa kishte mbërritur në Portin e Valencias me dy kontejnerë, të cilët ishin nisur disa javë më parë nga Gana, në bregun perëndimor të Afrikës.
© SYRI.net