Për përballjen ndërkombëtare të futbollit mes Kosovës dhe Izraelit, e vlefshme për “Ligën e Kombeve” dhe që zhvillohet sot në orën 15:00 në kryeqytet, Policia e Kosovës ka hartuar një plan të posaçëm operativ për garantimin e sigurisë.
Masat kanë nisur që me mbërritjen e ekipit izraelit në Kosovë. Në kuadër të tyre, policia ka siguruar shoqërimin e skuadrës mike, si dhe mbikëqyrjen e lëvizjeve të lojtarëve dhe stafit përgjatë itinerarit të përcaktuar gjatë qëndrimit të tyre në vend.
Të lidhura
None found
Ky angazhim do të vijojë edhe gjatë ditës së ndeshjes. Gjatë kalimit të eskortës mund të vendosen kufizime ose të ketë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit rrugor, ndaj autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve dhe drejtuesve të automjeteve të tregohen mirëkuptues.
Aktivitetet për ruajtjen e rendit do të zhvillohen në bashkëpunim dhe me mbështetjen e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), me synim garantimin e sigurisë para, gjatë dhe pas përfundimit të takimit sportiv.
Policia rikujton gjithashtu kërkesat e FFK-së që tifozët të mbërrijnë në stadium në kohë, të mos marrin me vete sende të ndaluara apo mjete të rrezikshme, përfshirë elemente dhe materiale me përmbajtje të palejuar. Në momentin e hyrjes, ata duhet të kenë me vete biletën dhe dokumentin e identifikimit.
“Në përmbushje të detyrave dhe kompetencave të përcaktuara me ligj, Policia e Kosovës do të kujdeset për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, garantimin e mbrojtjes dhe parandalimin e çdo incidenti të mundshëm. Për këtë qëllim, do të bashkëpunojë me FFK-në dhe kompanitë e angazhuara për sigurinë. Policia i falënderon qytetarët për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin në interes të sigurisë së përgjithshme, ndërsa i fton që për çdo informacion ose rast të kontaktojnë në numrin 192”, thuhet në njoftim.








