Një 23-vjeçar i shpallur në kërkim për plagosjen e rëndë të një 38-vjeçari është kapur nga policia në Mirditë. I riu akuzohet se në bashkëpunim me vëllanë e tij, 31 vjeç, ka goditur me mjete të forta një person në Rrëshen.
Policia e Lezhës bëri të ditur se arrestimi u realizua në kuadër të operacionit të koduar “Brothers”, të zhvilluar nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, Seksionin e Mbështetjes Operacionale dhe Komisariatin e Policisë Mirditë.
Në pranga ra shtetasi A. Gj., 23 vjeç, banues në Ndërfushaz, Rrëshen, ndaj të cilit Gjykata e Lezhës kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim.
Sipas hetimeve, ngjarja ka ndodhur më 27 tetor 2026, në Rrëshen, ku 23-vjeçari dhe vëllai i tij, J. Gj., 31 vjeç, dyshohet se kanë goditur me mjete të forta shtetasin E. Gj., 38 vjeç.
Ndërkohë, policia vijon punën për kapjen e 31-vjeçarit, i cili gjithashtu është shpallur në kërkim.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë për veprime të mëtejshme.


