Rama largon Veliajn dhe Ballën nga drejtimi politik i Tiranës, vendos Koçiun dhe Demon

Gjatë diskutimeve me dyer të mbyllura në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste janë zbardhur ndryshimet e para në drejtimin politik të qarqeve.
Gazetarja e Vizion Plus, Mola Luku mëson se kryeministri Edi Rama ka vendosur Albana Koçiun dhe Ervin Demon si drejtues politikë në Tiranë.
Deri më tani, drejtimi politik në kryeqytet ishte ndarë mes Erion Veliajt, Taulant Ballës dhe Ogerta Manastirliut.
Përpara mbledhjes së Asamblesë, Erion Veliaj, nga IEVP Fier, u kishte dërguar anëtarëve të saj një mesazh personal, së bashku me fjalimin e titulluar “Partia Socialiste është më e madhe se kryetari i saj”.
Në të, Veliaj kërkonte debat mbi gjendjen e PS-së, përgjegjësinë politike të Edi Ramës dhe aktivizimin e procedurës statutore të mocionit të mosbesimit ndaj kryetarit të partisë.
Ai kritikonte përqendrimin e vendimmarrjes dhe dobësimin e debatit të brendshëm, duke kërkuar që qëndrimet e tij të shqyrtoheshin nga Asambleja.




