Mijëra udhëtarë kanë mbetur të bllokuar në aeroportet amerikane, pas pezullimit disaorësh të nisjeve të fluturimeve për shkak të një defekti në sistemin e komunikimit të kontrollit të trafikut ajror. Edhe pse disa fluturime kanë rifilluar, trafiku ajror vijon të përballet me vështirësi, ndërsa vonesat dhe anulimet kanë shkaktuar kaos në aeroportet e vendit.
Sekretari amerikan i Transportit, Sean Duffy, ia atribuoi problemin teknologjisë së vjetruar të kontrollit ajror dhe mbingarkesës së pajisjeve të rrjetit. Ai paralajmëroi se rikthimi i plotë i operacioneve do të kërkojë kohë dhe do të bëhet gradualisht.
Ndërkohë, sekretari i Sigurisë Kombëtare, Markwayne Mullin, deklaroi se ndërprerja lidhej me përditësimet e kryera në sistemet e vjetra të Administratës Federale të Aviacionit (FAA). Sipas tij, incidenti nuk kishte lidhje me ndonjë kërcënim ndaj Shteteve të Bashkuara dhe as me ndërprerjen e shërbimeve të Microsoft-it gjatë kësaj jave.
Përmasat e kaosit janë të konsiderueshme. Mbi 15 mijë fluturime u vonuan ose u anuluan gjatë së premtes, ndërsa për ditën e shtunë parashikoheshin rreth 3 mijë të tjera me probleme në oraret e nisjes apo anulime.
Situata ka detyruar pasagjerët të përballen me radhë të gjata, pritje të zgjatura dhe pasiguri për udhëtimet e tyre. Disa prej tyre kanë kaluar edhe natën në ambientet e aeroporteve, në pritje të informacionit dhe riorganizimit të fluturimeve.
Sekretari Duffy paralajmëroi se episode të ngjashme mund të përsëriten nëse infrastruktura e kontrollit ajror nuk modernizohet. Ai i bëri thirrje Kongresit amerikan të miratojë fondet e nevojshme për përmirësimin e sistemeve, duke theksuar se teknologjia aktuale nuk i përgjigjet më kërkesave të trafikut ajror.
Megjithatë, sipas tij, problemet nuk pritet të ndikojnë në udhëtimet gjatë festës së Falënderimeve, që shënohet në fund të nëntorit. Ndërkohë, autoritetet dhe kompanitë ajrore po punojnë për normalizimin e plotë të trafikut dhe për të rikthyer sa më shpejt udhëtimet në oraret e planifikuara.


