
Ervin Demo dhe Albana Koçiu do të jenë bashkëdrejtuesit politikë të Partisë Socialiste në Tiranë. Vendimi është bërë i ditur në kuadër të zhvillimeve të Asamblesë së Partisë Socialiste, e cila po zhvillohet në Gjirin e Lalzit.
Dy emrat do të ndajnë drejtimin politik të socialistëve në kryeqytet, në një lëvizje organizative që vjen në kuadër të riorganizimit të strukturave të partisë.
Asambleja e PS-së po zhvillohet nën drejtimin e kryeministrit Edi Rama, ndërsa në fokus të diskutimeve janë organizimi i brendshëm, drejtimi politik në qarqe dhe përgatitjet për sfidat e ardhshme elektorale.
Mbledhja zhvillohet në një moment me zhvillime të rëndësishme brenda Partisë Socialiste, mes debateve politike dhe qëndrimeve të fundit të disa prej figurave të saj, mes tyre kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i cili ka kërkuar zyrtarisht “mocion mosbesimi” për kryetarin e PS- së Edi Rama.
Më herët drejtues politikë për Tiranën më parë kanë qenë Erion Veliaj dhe Ogerta Manastirliu. Ndërsa Elisa Spiropali ka drejtuar një njësi në Tiranë, sikurse edhe Erion Braçe, Fatmir Xhafaj, Damian Gjiknuri, Taulant Balla, Blerina Gjylameti, Olta Xhaçka, Ogerta Manastirliu etj.
Vetë kryebashkiaku i Tiranës në letrën drejtuar SPAK dhe Sekretarit të Përgjithshëm të PS, Blendi Klosi, kërkoi të merrte pjesë në punimet e Asamblesë, duke deklaruar se ai ishte drejtues politik i qarkut të Tiranës.
“Unë jam anëtar i Asamblesë Kombëtare, i Kryesisë së Partisë Socialiste, drejtues politik i qarkut Tiranë, kryetar i Partisë Socialiste Tiranë, si dhe kryetar i zgjedhur i Bashkisë Tiranë. Për rrjedhojë, pjesëmarrja ime në këtë mbledhje lidhet drejtpërdrejt me ushtrimin e të drejtave që më burojnë nga anëtarësia dhe funksionet e mia në organet drejtuese të partisë”, thuhej në letrën e Veliajt.




