Gossip Showbiz

Historia e pazakontë e 27-vjeçares/Nga shofere kamioni te kurora e Miss Anglisë!

Nga rrugët e Britanisë së Madhe, ku drejton kamionë të rëndë, drejt skenës së një prej konkurseve më prestigjioze të bukurisë. Kjo është historia e pazakontë e 27-vjeçares Milly Everatt, e cila po përgatitet të konkurrojë në finalen e Miss Anglisë.

E reja, që punon në një fermë dhe drejton kamionë deri në 44 tonë, ka siguruar pjesëmarrjen në konkurs në momentet e fundit, pas tërheqjes së një tjetër konkurrenteje. Oficerja e Forcave Ajrore Mbretërore, Alex Tyne, u detyrua të largohej nga gara për shkak të angazhimeve profesionale.

Kështu, Milly do të përfaqësojë Lincolnshire në finalen që zhvillohet në Leicester, duke synuar një vend në konkursin ndërkombëtar Miss World. Por kjo nuk është përpjekja e saj e parë në botën e bukurisë. Ajo ka konkurruar edhe në vitet 2018 dhe 2022, ndërsa këtë herë shpreson të realizojë ëndrrën e madhe.

“Dua të frymëzoj të tjerët dhe të bëhem fermerja e parë që fiton Miss Anglinë”, është shprehur 27-vjeçarja. Milly synon gjithashtu të thyejë paragjykimet për profesionet që tradicionalisht konsiderohen mashkullore.

Ajo thotë se gratë nuk duhet të kenë frikë të provojnë punë të pazakonta dhe se drejtimi i kamionëve i ka dhënë pavarësi ekonomike dhe personale. E rritur mes traktorëve dhe makinerive bujqësore, 27-vjeçarja dëshiron të tregojë se bukuria dhe puna e rëndë mund të bashkëjetojnë.