U godit më vezë në Dublin, Rama: Polici irlandez e lidhi shqipen, ishte gjithë ai burrë

Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste, komentoi akuzat për dhunë policore gjatë protestave, duke i cilësuar ato si një “legjendë urbane”.
Rama solli si shembull një episod nga vizita e tij në Dublin, ku u përball një grup protestuesish.
Kryeministri përdori këtë rast për të krahasuar mënyrën se si trajtohen protestat në Irlandë me situatën në Shqipëri, duke theksuar se bllokimi i rrugëve pa leje duhet të shoqërohet me masa ndëshkuese.
“Dhuna policore, një legjendë urbane e jashtëzakonshme. Na kthen te bota e re e rrjeteve sociale, ndërkohë që mbetemi i vetmi vend në një raport të përmbysur të të lënduarve.
Në Dublin, dy ditë më parë, u prita nga një dyzinë motrash e vëllezërish. Ishin në trotuarin tjetër, rruga ishte bosh, nuk kishte asnjë polic atje te ata. Ata rrinin në trotuar. Pashë një parullë aty: “Ne nuk paguajmë gjobë për lirinë e protestës”. Në fakt, nuk paguante gjobë se rrinte në trotuar, po të prekte rrugën, e merrte policia dhe gjobë.
Erdhi dhe një vezë irlandeze drejt meje, m’u duk e errët, thashë: “Paskan marrë një shqiponjë me vete”. Polici i tha: “Mos lëviz, shqipe, atje”. Shqipja ngriu. Ishte gjithë ai burrë. Shkuan policët, e morën dhe e lidhën aty.
Kjo është dhuna policore, që të jemi të qartë. As nuk mund të imagjinohet atje që të luash me kapelen e policit, t’i gjuash policit dhe të ankohesh pse kërkon kapelën mbrapsht.
Gjobat duhen ekzekutuar deri në fund. E drejta për të zënë rrugën pa leje nga policia nuk ekziston pa pasojën e gjobës përkatëse. Si mundet të marrim përsipër që 50 veta të bllokojnë qarkullimin për gjithë të tjerët?”




