Kryeministri Edi Rama ka komentuar për herë të parë gjatë mbledhjes së Asamblesë së Partisë Socialiste akuzat se ka ndërhyrë për të mbrojtur Belinda Ballukun nga drejtësia, ndërsa ka rikthyer në vëmendje edhe qëndrimet e tij për paraburgimin e ish-kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

Rama hodhi poshtë pretendimet se ka mbrojtur Ballukun, duke theksuar se as ai dhe as Partia Socialiste nuk bëjnë avokatinë e askujt që ka probleme me drejtësinë. Sipas tij, raporti me drejtësinë duhet të mbetet një raport mes pushteteve të ndara dhe çështjet personale të secilit duhet të ndiqen përmes avokatëve të tyre.

“U ngrit një furtunë sikur unë mbrojta Ballukun nga drejtësia. E kam dëgjuar të përsëritet dhe të kthehet në një të vërtetë të krijuar artificialisht. Por cila është e vërteta ime që unë e kam ndarë me ju? Është e njëjta dhe gjithmonë: raporti ynë me drejtësinë është dhe mbetet raport pushtetesh të ndara dhe kush ka një problem me drejtësinë e ka personal të vetin! Me avokatët e vet, unë dhe Partia Socialiste nuk bëjmë avokatinë e askujt! Gjeni një fjalë, timen ose të kujtdo këtu, që ta ketë bërë këtë gjë në rastin e Belinda Ballukut dhe ma thoni. Nuk e gjeni dot, për asnjërin dhe për asnjërën”, deklaroi Rama.

Kreu i qeverisë u ndal më pas te çështja e Erion Veliajt, duke përsëritur qëndrimin e tij se paraburgimi i kryebashkiakut të zgjedhur të Tiranës është absurd dhe përbën një çështje të demokracisë. Megjithatë, ai theksoi se nuk do të shprehet për themelin e çështjes dhe as për përgjegjësinë e tij ligjore.

“Po do të gjeni fjalë të miat për paraburgimin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Është paraburgim absurd dhe mbetet një çështje e demokracisë. E kam thënë dhe e përsëris këtë gjë. Nuk mund t’i marrësh ti kryeqytetit kryetarin e zgjedhur dhe t’ia mbyllësh brenda pa gjyq, por nuk mund të thuash se ky nuk mund të zëvendësohet se është në detyrë. Ose njëra, ose tjetra. Të dyja bashkë janë nonsens. Por nuk do të them asnjëherë asgjë për meritën e çështjes”, u shpreh Rama.

Sa i përket rastit të Ballukut, Rama tha se kundërshtimi i tij lidhej me kërkesën për autorizim për paraburgimin e një tjetër deputeteje, në një kohë kur hetimet vijonin, dhe jo me vlerësimin e çështjes në themel. Ai pretendoi se hetimet tashmë janë përfunduar dhe çështja ka kaluar për gjykim, duke shtuar se kundërshtimi i tij lidhej me një qasje që socialistët do ta kundërshtojnë përmes ligjit.

Në vijim, kryeministri kritikoi përdorimin e paraburgimit në Shqipëri, duke pretenduar se vendi ka një numër tepër të lartë personash që qëndrojnë në burg pa u gjykuar. Sipas tij, 63% e personave që mbahen në institucionet e vuajtjes së dënimit janë të paraburgosur dhe kjo situatë rëndon edhe mbi taksat e qytetarëve.

“Kemi dyfishin e të paraburgosurve të Rusisë. 63% e njerëzve që paguhen me taksat e shqiptarëve janë të paraburgosur dhe nuk kushtojnë pak. Ndodhin çudira, u mbarojnë afatet dhe dalin pa u gjykuar fare. Këtu ne nuk jemi në Mesjetë, ku turma kërkon gjak dhe kërkon turrë drush! Se nesër vjen te tjetri e tjetri dhe ligji nuk ka lidhje fare me figurat e larta, as me veprat që lidhen me SPAK, por ka të bëjë me shumë bij nënash që janë të pafajshëm deri në momentin kur gjykohen. Të rrinë në burg? Po pse? Mbajmë në burg pa gjyq edhe turistë të huaj, kalamaj që i kapin me hashash dhe rrinë atje presin të gjykohen?!”, deklaroi Rama.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb