Jennifer Lopez ka tërhequr sërish vëmendjen e ndjekësve me një postim në Instagram. Këngëtarja 57-vjeçare ka publikuar disa fotografi pas stërvitjes, në të cilat shfaqet e veshur me një bodysuit ngjyrë kafe, me dekolte të hapur.

Përveçse ka vënë në pah linjat e saj trupore, ajo ka zbuluar edhe se si e shpërblen veten pas ushtrimeve fizike: me biskota dhe qumësht.


“Stërvitu dhe ha biskota. Ekuilibër”, ka shkruar ajo në përshkrimin e fotografive.

Postimi i saj është shoqëruar me komente të shumta pozitive nga ndjekësit, të cilët kanë vlerësuar pamjen e saj. “Grua e mrekullueshme”, “Përsosmëri” dhe “Je frymëzimi im më i madh”, janë vetëm disa nga mesazhet që kanë lënë fansat e saj.

Në fillim të kësaj jave, Lopez prezantoi edhe projektin e saj më të ri, filmin koncertor “The JLO Show: Live in Las Vegas”, i cili sjell momentet më të veçanta nga performancat e saj të këtij viti në Las Vegas.

Premiera e filmit është paralajmëruar për 26 nëntor, në Ditën e Falënderimeve, në televizionin amerikan CBS dhe platformën e transmetimit Paramount+.

“Përmes këtij spektakli dua të tregoj një histori të shkurtër dhe t'u bëj homazh të gjithë artistëve të argëtimit që kanë qëndruar në këtë skenë para meje”, është shprehur Lopez në prezantimin e projektit.

Në prag të premierës, këngëtarja u ka bërë thirrje fansave që të mos ndalojnë së kërcyeri, pavarësisht sfidave që mund të sjellë jeta.

Serinë e saj të fundit të koncerteve në Las Vegas, Lopez e mbajti në muajin mars. Sipas burimeve të cituara nga “Daily Mail”, përgatitjet për këto performanca ishin tejet intensive.

Në studion e vallëzimit në North Hollywood, këngëtarja thuhet se ushtronte koreografitë së bashku me valltarët deri në 13 orë në ditë, me synimin që t'i ofronte publikut një spektakël sa më të mirë. /Telegrafi/