Pamje dramatike janë regjistruar në lumin Misisipi, pranë New Orleans në SHBA, ku një anije turistike u përplas me një tanker mallrash, duke bërë që mjeti lundrues të anonte dhe të përmbysej në njërën anë. Rreth 130 persona u shpëtuan nga ekipet e emergjencës, ndërsa 32 prej tyre u dërguan në spital me lëndime që nuk konsiderohen të rënda.
Aksidenti përfshiu anijen turistike “American Heritage” dhe anijen transportuese “Atlantic Asphalt”. Në bordin e anijes turistike ndodheshin rreth 129 pasagjerë, përveç anëtarëve të ekuipazhit. Autoritetet konfirmuan se nuk ka persona të zhdukur.
Kryetarja e bashkisë së New Orleans, Helena Moreno, e cilësoi operacionin e shpëtimit si një “mrekulli në Misisipi”, duke vlerësuar reagimin e shpejtë të ekipeve të emergjencës.
“Ne nuk kemi asnjë person të pagjetur, gjë që është vërtet një mrekulli në Misisipi”, deklaroi ajo gjatë një konference për mediat.
Telefonatat e para për aksidentin mbërritën rreth orës 13:30 të së premtes, sipas orës lokale. Pas përplasjes, pasagjerët nisën të largoheshin nga anija, ndërsa ajo po merrte ujë dhe anonte gjithnjë e më shumë.
Në operacionin e shpëtimit u angazhuan operatorë të rimorkiatorëve, policia dhe ekipe të tjera emergjence. Për të lehtësuar ndërhyrjen, autoritetet pezulluan përkohësisht trafikun e mjeteve lundruese në lumin Misisipi.
Dëshmitarët kanë përshkruar momente paniku, ndërsa përplasjen e kanë krahasuar me skena filmash. Jamie Holford i tha BBC-së se dëgjoi një zhurmë të fuqishme, sikur tonelata çeliku të përplaseshin me njëra-tjetrën.
“Dukej sikur tonelata çeliku po përplaseshin me njëra-tjetrën. Ishte si diçka e dalë nga filmi Titanic”, rrëfeu ai.
Sipas dëshmitarit, pasagjerët dhe pjesëtarët e ekuipazhit bërtisnin dhe qanin teksa përpiqeshin të largoheshin nga anija.
Shkaku i aksidentit mbetet nën hetim. Kapitenia e Rojës Bregdetare amerikane, Melanie Burnham, bëri të ditur se dyshimet paraprake lidhen me një problem në drejtimin e anijes.
“Duket se ka pasur një lloj humbjeje të kontrollit të drejtimit”, deklaroi ajo.
“American Heritage”, e operuar nga kompania American Cruise Lines, ishte duke përfunduar një udhëtim turistik tetëditor, me ndalesa në destinacione përgjatë lumit Misisipi, në Luiziana dhe Misisipi. Anija, e ndërtuar në vitin 2015, ka kapacitet për deri në 150 pasagjerë.
Presidenti amerikan Donald Trump vlerësoi operacionin e shpëtimit, duke e cilësuar si një punë të jashtëzakonshme. Edhe guvernatori i Luizianës, Jeff Landry, e përshkroi ndërhyrjen si një “mrekulli në Misisipi”.
Autoritetet amerikane vijojnë hetimet për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e plota të përplasjes.


