Një tjetër sasi e konsiderueshme kokaine është sekuestruar në Portin e Valencias në Spanjë, ndërsa mes katër personave të arrestuar është edhe një shtetas shqiptar, i dyshuar se përfaqësonte pronarin dhe financuesin e ngarkesës. Sipas mediave spanjolle, pas trafikut dyshohet se qëndrojnë rrjete të lidhura me të ashtuquajturin “Karteli i Ballkanit”.
Në total, autoritetet kanë sekuestruar 1.763 kilogramë kokainë, e cila ishte fshehur mes trungjeve të drurit në dy kontejnerë të nisur nga porti i Guayaquilit në Ekuador rreth dy javë më parë.
Operacioni u zhvillua nga njësia kundër drogës EDOA e Gardës Civile në Valencia, njësia UDYCO e Policisë Kombëtare dhe autoritetet e Mbikëqyrjes Doganore. Hetimet nisën pas informacioneve për një dërgesë të dyshimtë, që mund të shërbente për trafikimin e sasive të mëdha të kokainës përmes rrugëve detare.
Më 10 nëntor, agjentët kontrolluan dy kontejnerët me skanerin e lëvizshëm “Medusa”. Imazhet radiologjike evidentuan dy dendësi të pazakonta brenda ngarkesës, duke ngritur dyshimet për praninë e lëndës narkotike.
Pas konfirmimit të dyshimeve, autoritetet morën autorizimin gjyqësor për të realizuar një dorëzim të kontrolluar të drogës. Agjentët ndoqën nxjerrjen e kontejnerëve nga porti, transportimin e tyre me dy kamionë dhe mbërritjen në një magazinë industriale në Aldaia, në periferi të Valencias.
Ndërhyrja policore u krye në momentin kur ngarkesa po shkarkohej. Në pranga përfunduan katër persona: dy shtetas spanjollë, një kolumbian dhe një shqiptar.
Sipas burimeve të cituara nga mediat spanjolle, dy spanjollët dyshohet se kishin për detyrë shkarkimin e kamionëve, kolumbiani përfaqësonte furnizuesin e drogës, ndërsa shqiptari dyshohet se vepronte në emër të pronarit dhe financuesit të dërgesës. Kjo ndarje e roleve ka orientuar hetuesit drejt dyshimeve për përfshirjen e rrjeteve të njohura si “Karteli i Ballkanit”.
Hetimet vijojnë për të identifikuar personat që kanë organizuar transportin dhe financuar ngarkesën. Sipas raportimeve, mënyra e fshehjes së kokainës mes trungjeve të drurit konsiderohet veçanërisht e sofistikuar dhe një metodë që hetuesit nuk e kishin hasur prej vitesh.
Sekuestrimi i fundit vjen vetëm dy ditë pas një tjetër operacioni në Portin e Valencias, ku autoritetet njoftuan kapjen e afro tri tonëve kokainë. Hetuesit po shqyrtojnë nëse dy rastet kanë lidhje me një aktivitet më të gjerë të rrjeteve të trafikut të drogës, që përdorin portin spanjoll si pikë hyrjeje drejt tregut evropian.
Ndërkohë, në gusht në të njëjtin port ishte sekuestruar një tjetër ngarkesë prej 2.600 kilogramësh kokainë, e fshehur në hapësira të dyfishta brenda paletave me arra kokosi. Kontejnerët në atë rast kishin mbërritur nga Gana.


