Kombëtarja shqiptare zhvilloi paraditen e kësaj të shtune stërvitjen zyrtare përpara udhëtimit për në Budapest për të zhvilluar ndeshjen ndaj Bjellorusisë, që përmbyll këtë edicion të UEFA Nations League.

Në këtë seancë 26 futbollistë u stërvitën normalisht, me përjashtim të Ernest Muçit që kreu disa ushtrime në palestër dhe dhe nuk iu bashkua skuadrës në fushë.

Përsa i përket pjesës tjetër të skuadrës, ajo u fokusua te aspektet tekniko-taktike në prag të sfidës së nesërme, si edhe te provat e goditjeve standarde. Kombëtarja shqiptare do të kërkojë të mbyllë këtë edicion të Nations League në vendin e parë në grup dhe ndaj skuadrës bjelloruse do t’i mjaftojë edhe një barazim për ta arritur këtë objektiv.

Sfida mes Kombëtares shqiptare dhe Bjellorusisë do të luhet të dielën në orën 18:00 në stadiumin ‘Illovszky Rudolf Stadion’ të Budapestit, një sfidë që do të luhet pa praninë e tifozëve në tribuna dhe që do të transmetohet në platformën Digitalb. 

Top Channel