Një ngjarje e rëndë është regjistruar gjatë operacionit për shuarjen e një zjarri në një ndërtesë të braktisur në Zefiri, në bashkinë e Filit, mesditën e së shtunës. Dy zjarrfikës 23 dhe 44 vjeç, kanë ndërruar jetë pasi një pjesë e ndërtesës ku po ndërhynin u shemb. Nga incidenti mbeti i plagosur edhe një tjetër zjarrfikës.
Autoritetet kanë vijuar hetimet për të zbuluar nëse dy efektivët humbën jetën për shkak të tymit dhe kushteve brenda ndërtesës që ishte përfshirë nga flakët, apo nëse u zunë poshtë nga materialet ndërtimore që u shembën.
Zjarri shpërtheu në një ndërtesë të braktisur në rrugën “Katsantoni”, në bashkinë e Filit. Qendra Operacionale e Shërbimit Zjarrfikës u njoftua rreth orës 11:40 të paradites, sipas orës lokale.
Në vendngjarje u angazhuan 20 zjarrfikës me gjashtë automjete nga stacionet e 10-të, 6-të dhe 12-të të zjarrfikësve të Athinës, si dhe forcat e njësisë speciale EMAK.
Gjatë operacionit për shuarjen e zjarrit, ndërsa zjarrfikësit po ndërhynin brenda ndërtesës së braktisur, një pjesë e saj u shemb, duke shkaktuar alarm për nxjerrjen e efektivëve të bllokuar.
Njëri prej zjarrfikësve u nxor fillimisht pa shenja jete dhe u mor nga një ambulancë e Shërbimit Kombëtar të Urgjencës (EKAB), për t’u transportuar në Spitalin Attikon. Një tjetër u nxor i plagosur, ndërsa informacionet e para bënin të ditur se po kërkohej edhe një zjarrfikës i tretë.
Ndërkohë autoritetet në Athinë po punojnë për të zbuluar shkaqet e sakta dhe rrethanat e ngjarjes tragjike.
