Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka reaguar ashpër pas mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, duke e cilësuar atë si një tjetër dëshmi të përçarjes dhe konfliktit brenda mazhorancës.
Në një deklaratë për mediat, Blushi akuzon kryeministrin Edi Rama se e ka shndërruar Partinë Socialiste në një organizatë kriminale, ku, sipas tij, mbizotërojnë intrigat, korrupsioni, spiunimet dhe lufta për mbijetesë politike. Ai përmend edhe ish-zëvendëskryeministrin Arben Ahmetaj dhe kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, duke pretenduar se zhvillimet e fundit kanë nxjerrë në pah përplasjet dhe akuzat brenda socialistëve.
Blushi ndalet edhe te situata ekonomike në vend, duke iu referuar analizës së ish-zëvendësministres socialiste të Financave, Irena Beqiraj, për rritjen e çmimeve të produkteve ushqimore gjatë periudhës 2020–2025. Sipas shifrave që ai citon, ndërsa disa produkte janë liruar në import, çmimet e tyre në tregun shqiptar janë rritur ndjeshëm. Si shembuj, ai përmend fasulet, kastravecat, specat, domatet, qumështin dhe djathin. Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë e lidh këtë situatë me modelin ekonomik të qeverisë Rama, të cilin e cilëson si të mbështetur te oligopolet, monopolet dhe interesat klienteliste.
REAGIMI
Asambleja e sotme e Partisë Socialiste ishte një tjetër akt i dekompozimit të saj të pandalshëm politik dhe i metamorfozës përfundimtare nga një parti politike në një organizatë kriminale, ku lufta e ndyrë pa parime, korrupsioni, krimi, tradhtia, dhuna, represioni, kërcënimi, shantazhi dhe thikat pas shpine ndaj njëri-tjetrit janë shndërruar në të vetmin manifest politik dhe program qeverisës.
Metamorfozën e Partisë Socialiste në një organizatë kriminale e certifikoi ish-krahu i djathtë i Edi Ramës, Arben Ahmetaj.
Shndërrimin e partisë së Dritëroit në partinë e Nesti Angonit e vulosi Erion Veliaj me letrën e tij të sotme.
Ndërsa degradimin e partisë së Servet Pëllumbit në partinë e Nasta Pëllumbit e dëshmon kjo luftë e shfrenuar mafioze brenda llojit.
Shokë që spiunojnë shokët, letra që kthehen në armë eliminimi, kallëzime anonime që përdoren për të fundosur dhe burgosur politikisht kundërshtarët brenda radhëve dhe intriga që synojnë të shpëtojnë lëkurën në kurriz të njëri-tjetrit.
Por sa i majtë është në të vërtetë Nesti Angoni dhe si e ka qeverisur Edi Rama Shqipërinë për 13 vite, këtë e ka denoncuar shumë qartë opozita por e ka nxjerrë në dritë të diellit edhe ish-zëvendësministrja socialiste e Financave, Irena Beqiraj, përmes analizës së saj për çmimet në Shqipëri.
Krahasimet që ajo ka bërë për periudhën 2020–2025 janë tronditëse: sheqeri është shtrenjtuar vetëm 5,5% në import, por 69% në tregun vendas; mielli 1,4% në import, por 34% në dyqane; qumështi 3,2% në import, por 42% në treg; djathi 7,5% në import, por plot 100% në dyqane!
Edhe më skandaloz është rasti i fasuleve, që janë liruar 21% në import, por janë shtrenjtuar 92% në tregun shqiptar.
Kastravecat janë liruar 15% në import, por janë shtrenjtuar 78% në dyqane. Specat janë liruar 15%, por janë shtrenjtuar 71%, ndërsa domatet janë liruar rreth 17% në import, por janë shtrenjtuar 55% në tregun vendas.
Këto shifra ekspozojnë dështimin e një modeli ekonomik të ndërtuar mbi Narko-ekonominë dhe narko-euron, në tregje të pakonkurrueshme, monopole, oligopole dhe interesa klienteliste mafioze, ku përfitojnë një pakicë e privilegjuar, ndërsa qytetarët, në vecanti të rinjtë dhe pensionistët paguajnë faturën.
Ky është modeli i dështuar ekonomik i Edi Ramës, treg i artë për oligarkët, privilegje për klientët e pushtetit dhe varfëri e zhvatje për shqiptarët.
Edhe lëvizja e fundit e Edi Ramës për uljen e TVSH-së së ushqimeve të shportës është një tjetër dëshmi e kësaj hipokrizie.
Nuk është reflektim i papritur social, por një tërheqje e detyruar përballë presionit të protestës dhe zemërimit të qytetarëve, veçanërisht të të rinjve që kanë ngritur zërin kundër kostos së papërballueshme të jetesës.
Partia e Lirisë, që në kohën kur ishte LSI, e ka kërkuar tri herë uljen e TVSH-së për produktet bazë të shportës nga 20% në 5%, në vitin 2017, në vitin 2022 dhe në vitin 2025.
Të tria herët Edi Rama i rrëzoi këto propozime me arrogancën e kartonave, duke refuzuar t’u lehtësonte shqiptarëve barrën e ushqimeve bazë edhe pse në vitin 2013 erdhi në pushtet me premtim-mashtrimin për TVSH 0% për ushqimet e shportës!
Sot, pas 13 vitesh, pasi i ka refuzuar tri herë propozimet e Partisë së Lirisë, Rama përpiqet të shesë si meritë të tij atë që për vite e ka penguar dhe që po e ndërmerr vetëm pasi protesta e detyroi të ndryshojë qëndrim.
Nuk e bëri nga dashuria për qytetarët, as nga bindja për drejtësinë e kësaj mase. E bëri nga frika e protestës!
Ky është edhe thelbi i qeverisjes së Edi Ramës, premtime të pambajtura, propagandë pa fund për të mbuluar korrupsionin skizofrenik dhe masa të vonuara fiskale vetëm për të justifikuar vjedhjet dhe vetëm kur presioni qytetar bëhet i papërballueshëm.
Nesti Angoni ka të drejtë kur thotë se Shqipëria nuk krahasohet dot me Serbinë!
Por jo për arsyet që pretendon ai. Sepse Shqipëria jo vetëm që është bërë treg për produktet ushqimore serbe, për miellin dhe qumështin pluhur serb, por tashmë importon nga Serbia edhe ushqimet për kafshët!
Ironia është se Serbia, të cilën Rama përpiqet ta paraqesë si pikë referimi të suksesit të tij politik, i trajton qytetarët dhe prodhuesit e vet shumë më mirë sesa qeveria shqiptare trajton shqiptarët.
Mjafton të shohim disa krahasime konkrete:
TVSH-ja për ushqimet e shportës: Shqipëria aplikon 20%, ndërsa Serbia 10%.
Çmimet e ushqimeve: Shqipëria është rreth 7% më e shtrenjtë se Serbia për të gjithë grupin e ushqimeve, ndërsa për qumështin, bulmetin dhe vezët diferenca arrin rreth 27%.
Karburanti: në Shqipëri kushton rreth 23% më shumë se në Serbi.
Mbështetja e bujqësisë: Shqipëria mbështet bujqësinë me rreth 163 milionë euro në vit, ndërsa Serbia me rreth 1,26 miliardë euro.
Por krahasimi bëhet edhe më i dhimbshëm kur vjen puna te familja dhe lindshmëria, pra te politikat për të ndalur shpopullimin.
Edi Rama jep 400 euro bonus për fëmijën e parë dhe 800 euro për të dytin. Serbia jep rreth 4.260 euro për fëmijën e parë, 5.112 euro për të dytin, 19.427 euro për të tretin dhe 27.000 euro për të katërtin. Përveç këtyre, ofron edhe skema të tjera mbështetëse për familjet e reja, përfshirë subvencione për blerjen e banesës.
Nuk po krahasojmë këtu nivelin e pagave, politikat e strehimit, investimet e huaja dhe mbështetjen për prodhimin vendas.
Pra, Edi Rama ka të drejtë: nuk krahasohemi dot me Serbinë! Sepse edhe në politikat për familjen, edhe në mbështetjen e bujqësisë, edhe në taksimin e ushqimeve, edhe në çmimet e produkteve bazë, qeveria e tij është inferiore ndaj politikave që Serbia zbaton për qytetarët e vet.
Edi Rama është padyshim Kryeministri më i mirë i Serbisë pas Pashiçit, përsa i përket largimit të shqiptarëve nga trojet e tyre, ndërkohë që për qytetarët e Serbisë rezulton krejt inferior edhe ndaj politikave sociale dhe ekonomike të qeverisë së Beogradit!
Ky është kontrasti kriminal dhe turpi i 13 viteve të qeverisjes së Edi Ramës: një vend me potenciale të jashtëzakonshme, por me qytetarë që paguajnë më shtrenjtë, fitojnë më pak, marrin më pak mbështetje dhe detyrohen të largohen për të ndërtuar një të ardhme më të mirë jashtë Shqipërisë.
Me Nesti Angonin nuk ka as rritje të mirëqenies së shqiptarëve, as ulje të kostos së jetesës dhe as integrim europian me standarde demokratike, sundim të ligjit dhe institucione të pavarura.
Ka vetëm shpopullim të shqiptarëve, varfërim të familjeve, kapje të shtetit, korrupsion dhe një Shqipëri që po humbet çdo ditë më shumë besimin te e ardhmja.
Prandaj, largimi i Edi Ramës është kryekushti për t’i dhënë fund krizës së rëndë politike, ekonomike dhe shoqërore që po kalon vendi.
Nuk ka më besë, solidaritet apo parime brenda kësaj organizate. Ka vetëm frikë, interesa mafioze, pabesi, prerje kokash dhe një luftë të egër për mbijetesë brenda një varke që po mbytet.
Tashmë, protagonistët nuk kanë më as durimin për të mbajtur maskat: po ia shqyejnë njëri-tjetrit në sytë e të gjithë shqiptarëve.
Kjo është «Prania Besnike»!
Një organizatë ku ata që dje ndanin pushtetin, sot ndajnë akuza; ata që dje mbulonin krimet dhe korrupsionin e njëri-tjetrit, sot denoncojnë dhe spiunojnë njëri-tjetrin. Ku tradhtia nuk është më përjashtim, por rregull, dhe pabesia është kthyer në kusht mbijetese.
Nga partia e Dritëroit te partia e Nesti Angonit. Nga partia e shokëve te partia e spiunëve. Nga fasada e solidaritetit te lufta mafioze për pushtet.
Maskat kanë rënë përfundimisht! Kjo nuk është më një parti që po përçahet, por një Narkoregjim kriminal që po ha vetveten, ndërsa protagonistët e tij luftojnë me çdo mjet për të shpëtuar lëkurën dhe për të mbajtur peng Shqipërinë!
Por Shqipëria nuk mund të mbetet peng i kësaj organizate!
Prandaj sot është koha që të gjithë shqiptarët, pa dallim bindjesh politike, të bashkohen rreth interesit kombëtar për të çliruar vendin nga ky pushtet.
Largimi i Edi Ramës duhet të bashkojë të gjithë shqiptarët, përtej dallimeve politike, në një betejë të përbashkët për rrëzimin e Ramës dhe krijimin e një qeverie kujdestare është një domosdoshmëri politike e momentit.
Nuk kërkohet që të gjithë të mendojmë njësoj, as të kemi të njëjtin program apo të njëjtat bindje politike.
Kërkohet të bashkohemi për një qëllim madhor: largimin e Nesti Angonit, çlirimin e shtetit nga kapja kriminale, rikthimin e demokracisë dhe hapjen e rrugës për zgjedhje të lira e të ndershme.
Kjo është beteja që duhet të na bashkojë të gjithëve!
Shqipëria mbi partitë! Shqipëria mbi interesat e ngushta politike!
Largimi i Edi Ramës, alias Nesti Angonit, është kryekushti për të shpëtuar Shqipërinë!
