Juventusi po shqyrton mundësinë për të afruar Hakan Calhanoglun, nëse mesfushori turk dhe Interi nuk gjejnë gjuhën e përbashkët për vazhdimin e kontratës.
Tuttosport shkruan se klubi torinez po ndjek nga afër zhvillimet rreth futbollistit, i cili është i lidhur me Interin deri në qershor të vitit 2027.
Të lidhura
None found
Palët thuhet se kanë hasur vështirësi në bisedime, ndërsa fondi Oaktree, pronar i klubit zikaltër, synon të ulë shpenzimet për pagat.
Calhanoglu përfiton 6.5 milionë euro neto në sezon, shumë që shihet si e lartë, sidomos për një lojtar që po i afrohet moshës 33-vjeçare.
Mesfushori nuk është treguar i gatshëm të pranojë shkurtim të pagës, ndonëse negociatat mes agjentit të tij, Gordon Stipic, dhe drejtuesve të Interit kanë shfaqur disa shenja të vogla përparimi.
Nëse ngërçi vazhdon, Juventusi mund të kthehet në një mundësi konkrete për të ardhmen e futbollistit turk.
Ricky Massara, zyrtar i lartë i futbollit te Juventusi, e njeh mirë Calhanoglun nga koha kur të dy punonin te Milani dhe vazhdon të ketë marrëdhënie të mira me të, sipas raportimeve.
Galatasaray është një tjetër klub që ka shfaqur interes për mesfushorin dhe ishte përpjekur ta transferonte rreth 18 muaj më parë. Në garë si mundësi të ardhshme janë edhe klubet saudite.
Rasti kujton interesimin e Juventusit për Bernardo Silvan vitin e kaluar. Atëherë, operacioni nuk u realizua, pasi klubi nuk u kualifikua në Ligën e Kampionëve.
Tani mbetet për t’u parë nëse Interi do të arrijë marrëveshje për rinovimin e kontratës, apo Juventusi do të shfrytëzojë bllokimin e bisedimeve për ta kthyer Calhanoglun në një nga transferimet e bujshme të afatit kalimtar.





