Zelensky: SHBA-ja propozoi tërheqjen e Ukrainës nga Donbasi në këmbim të anëtarësimit në NATO

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka bërë të ditur se negociatorët amerikanë kanë ngritur mundësinë që Ukraina të tërheqë forcat e saj të mbetura nga rajoni lindor i Donbasit, në këmbim të anëtarësimit në NATO.

Deklarata e tij vjen pas takimeve të të dërguarve amerikanë në Moskë me presidentin rus, Vladimir Putin, dhe në Dublin me përfaqësuesit ukrainas, në kuadër të përpjekjeve për t’i dhënë fund luftës mes Rusisë dhe Ukrainës, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.

Zelensky ka thënë se kjo ishte hera e parë që pala amerikane e kishte ngritur një propozim të tillë në bisedimet me Kievin.

“Amerikanët ngritën një pyetje: ‘Po sikur Ukraina t’i bashkohet NATO-s? A do të tërhiqej Ukraina nga Donbasi?’ Kjo ishte hera e parë që kjo çështje u ngrit”, u ka thënë Zelensky gazetarëve të shtunën.

Ai ka shtuar se nëse do të merrte një propozim që përfshin garanci të sigurisë, pa kufizime për ushtrinë ukrainase dhe fonde për rindërtimin e vendit, do ta paraqiste atë për referendum.

Sipas presidentit ukrainas, propozimi amerikan e ka rikthyer anëtarësimin në NATO në agjendën e diskutimeve.

“Propozimi amerikan më bëri të besoj se NATO-ja është sërish në tryezë”, ka thënë ai, por ka paralajmëruar se qëndrimet e presidentit rus e bëjnë këtë një diskutim jashtëzakonisht të vështirë.

Anëtarësimi i Ukrainës në NATO ka qenë prej kohësh synim i Kievit, si garanci kundër kërcënimeve të ardhshme. Megjithatë, SHBA-ja dhe disa vende të tjera e kanë kundërshtuar më herët këtë mundësi, ndërsa Moska ka deklaruar se nuk mund ta pranojë anëtarësimin e Ukrainës në aleancën ushtarake.

Rusia, ndërkohë, vazhdon të kërkojë që Ukraina të heqë dorë nga territoret e Donbasit, të kufizojë madhësinë e ushtrisë dhe të garantojë neutralitetin e saj. Kievi i ka kundërshtuar këto kushte, duke argumentuar se kufizimet e tilla do ta linin vendin të pambrojtur ndaj një pushtimi të ardhshëm.

Aktualisht, Rusia kontrollon rreth një të pestën e territorit të Ukrainës, përfshirë pjesën më të madhe të rajoneve të Donetskut dhe Luhanskut, të cilat përbëjnë Donbasin. Tërheqja e forcave ukrainase nga pjesët e këtij rajoni që ende kontrollohen nga Kievi do të kishte rëndësi të madhe politike dhe simbolike për Ukrainën, pasi do të nënkuptonte pranimin e humbjes së tyre.

Të dërguarit amerikanë Jared Kushner dhe Steve Witkoff udhëtuan të enjten në Dublin, ku u takuan me Zelenskyn, pas bisedimeve që kishin zhvilluar në Moskë me Putinin.

Megjithatë, deklaratat e presidentit rus dhe zyrtarëve të Kremlinit nuk kanë dhënë shenja se Moska ka ndryshuar qëndrimin e saj për luftën dhe kërkesat territoriale.

Raundi i fundit i bisedimeve vjen pas tensioneve në marrëdhëniet mes Kievit dhe Uashingtonit, të shkaktuara nga sulmet ukrainase ndaj objekteve të naftës në brendësi të territorit rus. Presidenti amerikan, Donald Trump, kishte kërkuar që Ukraina t’i pezullonte këto sulme, me qëllim lehtësimin e furnizimit me naftë ruse dhe frenimin e rritjes së çmimeve globale të karburanteve.

Ndërkohë, Zelensky kishte akuzuar zyrtarët amerikanë për kufizimin e shërbimit të internetit Starlink, të cilin Ukraina e përdor për koordinimin e operacioneve mbrojtëse. Trump, nga ana tjetër, kishte deklaruar se ishte koha që Ukraina të kishte një president të ri dhe kishte kërkuar zgjedhje të reja.

Zgjedhjet në Ukrainë janë pezulluar për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme ushtarake. Megjithatë, Zelensky ka thënë më herët se është i gatshëm që ato të mbahen brenda disa muajve pas arritjes së një marrëveshjeje paqeje. Ai madje ka deklaruar se do të ishte i gatshëm të hiqte dorë nga presidenca në këmbim të anëtarësimit të Ukrainës në NATO.

Shija e redaktorit

Presidenti kroat pritet ta vizitojë Kosovën në fillim të dhjetorit

Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, pritet ta vizitojë Kosovën në fillim të muajit dhjetor të këtij viti. Kështu ka mësuar Dukagjini nga burimet e veta...

Nufi: Shqipëria do ta mbrojë Kosovën, asnjë qeveri në Tiranë...

Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Ermal Nufi, ka deklaruar se angazhimi i Shqipërisë për mbrojtjen e Kosovës është i pakushtëzuar, duke theksuar se asnjë...

Përkujtohet ditëlindja e heroit të Kosovës, Zahir Pajaziti

Sot shënohet 64-vjetori i lindjes së komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe heroit të Kosovës, Zahir Pajaziti. Ai u lind më 1 nëntor 1962...

Të fundit nga rubrika