Ervin Demo ka reaguar pas vendimit të kryeministrit Edi Rama, i cili gjatë mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste propozoi atë dhe Albana Koçiun për të drejtuar së bashku strukturat socialiste në Bashkinë e Tiranës.
Në reagimin e tij, Demo shprehet mirënjohës për besimin e kryetarit të PS-së dhe anëtarëve të Asamblesë Kombëtare. Ai vlerëson gjithashtu kontributin e socialistëve ndër vite dhe thekson se puna e përbashkët do të përqendrohet në forcimin e strukturave të partisë në çdo lagje, njësi administrative dhe fshat të Tiranës.
Demo nënvizon rëndësinë e përgjegjësisë individuale, punës në ekip dhe komunikimit të vazhdueshëm me qytetarët. Sipas tij, prioritet duhet të jenë shërbimet publike, siguria në shkolla, funksionimi i institucioneve dhe zgjidhja e shqetësimeve të përditshme të banorëve.
Ai thekson se përgjegjësia politike duhet të shtrihet te të gjithë qytetarët e Tiranës, pavarësisht bindjeve të tyre politike.
“Faleminderit kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, dhe anëtarëve të Asamblesë Kombëtare për besimin që na dhanë sot mua dhe Albana Koçiut për të drejtuar së bashku Partinë Socialiste në Bashkinë e Tiranës.
Mirënjohje për çdo socialist e socialiste për punën dhe përkushtimin e tyre ndër vite.
Së bashku me Albanën, me skuadrën e deputetëve të Bashkisë së Tiranës dhe me të gjitha strukturat tona, do të angazhohemi për organizimin dhe forcimin e Partisë Socialiste në çdo lagje, njësi administrative e fshat të Tiranës.
Një organizim që mbështetet te puna në ekip, përgjegjësia individuale, komunikimi i vazhdueshëm me qytetarët dhe ndjekja konkrete e problemeve të tyre.
Qytetarët e Tiranës kanë të drejtë të kërkojnë më shumë prej nesh: shërbime publike më të mira, shkolla të sigurta për fëmijët, institucione që përgjigjen dhe zgjidhje për shqetësimet e përditshme.
Për mua, këtu matet edhe puna politike: sa pranë njerëzve jemi, sa i njohim problemet e tyre dhe sa këmbëngulim për t’i zgjidhur.
Duhet të dëgjojmë edhe kur kritika është e fortë, të pranojmë atë që nuk funksionon dhe të punojmë për ta përmirësuar.
Së bashku me deputetët, drejtuesit e strukturave dhe çdo anëtar të Partisë Socialiste, do të ndërtojmë një mënyrë pune ku secili ka përgjegjësi të qarta, ku prania në terren është e përditshme dhe ku çdo shqetësim i qytetarëve ndiqet deri në zgjidhje.
Përgjegjësia jonë është ndaj të gjithë qytetarëve të Tiranës, pavarësisht bindjeve të tyre politike.
Besimin që morëm sot do ta kthejmë në organizim, punë konkrete dhe rezultate për Tiranën!”, shkruan Demo.


