
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama për çështjen e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke e akuzuar se ka përdorur shumicën parlamentare për ta mbrojtur atë nga drejtësia.
Në një reagim publik, Bardhi u shpreh se Rama është “shah-mat” në rastin Balluku dhe se, pavarësisht përpjekjeve për t’u distancuar nga kjo çështje, përgjegjësia e tij politike është e qartë.
Sipas kreut të grupit parlamentar të PD-së, prova e mbrojtjes politike është votimi i 12 marsit 2026, kur 82 deputetë të shumicës qeverisëse votuan kundër kërkesës së SPAK-ut për autorizimin e arrestimit të Ballukut.
Bardhi theksoi se ky vendim është evidentuar edhe nga Komisioni Europian në raportin e fundit për Shqipërinë, ku janë ngritur shqetësime për kontrollin dhe balancën mes pushteteve, si dhe për respektimin e parimit të barazisë përpara ligjit.
Ai ngriti gjithashtu akuza për pazare politike mes kryeministrit dhe segmenteve të drejtësisë, duke deklaruar se rruga europiane e Shqipërisë nuk mund të pengohet nga korrupsioni dhe mbrojtja politike.
Reagimi i plotë i Gazment Bardhit:
“Edi Rama, shah-mat me Belinda Ballukun!
Në rastin e Belinda Ballukut, Edi Rama është kapur shah-mat. Sado të përpiqet të lajë duart, nuk mund të fshehë përgjegjësinë e tij për operacionin politik të mbrojtjes së Belinda Ballukut nga drejtësia. Nuk duhen fjalët e Edi Ramës për të zbuluar mashtrimet e tij. Mjaftojnë veprat. 82 vota të shumicës së tij qeverisëse, më 12 mars 2026, refuzuan kërkesën e SPAK-ut për autorizimin e arrestimit të Belinda Ballukut.
Kjo është avokatia e Edi Ramës për Belinda Ballukun: jo me fjalë, por me kartonë në Parlament. Këtë vendim e ka evidentuar edhe Komisioni Europian në raportin e fundit për Shqipërinë, duke ngritur shqetësime serioze për kontrollin dhe balancën ndërmjet pushteteve, si dhe për respektimin e parimit të barazisë përpara ligjit.
Edi Rama mund të jetë peng i Belinda Ballukut. Mund të jetë në pazar me segmente të SPAK-ut për të ndarë pushtetin e korruptuar, por Shqipëria nuk meriton të mbetet peng i tyre. Rruga europiane e Shqipërisë nuk mund të mbahet peng nga korrupsioni, mbrojtja politike e Belinda Ballukut dhe pazaret e drejtësisë politike.”