Kosova me dominim total ndaj Izraelit pas pjesës së parë, mungon vetëm goli

Kombëtarja e Kosovës e ka mbyllur pjesën e parë me rezultat të barabartë 0-0 ndaj Izraelit, në ndeshjen e vlefshme për Ligën e Kombeve.
Dardanët e nisën takimin me shumë energji, duke krijuar disa raste të mira shënimi dhe duke qenë skuadra më kërkuese në fazën e parë të ndeshjes.
Rasti i parë serioz erdhi që në minutën e tretë, kur Kreshnik Hajrizi rrezikoi me një goditje, por topi përfundoi mbi portën e Izraelit.
Kosova vazhdoi të ushtronte presion dhe në minutën e shtatë ishte Edon Zhegrova ai që provoi me një goditje të fuqishme, por topi përfundoi fare pranë shtyllës.

Në minutën e 17-të, Milot Rashica rrezikoi sërish për Dardanët, por portieri izraelit arriti të intervenonte me sukses për ta ndalur goditjen e tij.
Izraeli e regjistroi rastin e parë serioz në minutën e 24-t, kur Amir Saipi u tregua i vëmendshëm dhe reagoi mirë për ta mbajtur portën e Kosovës të paprekur.
Rasti më i mirë i Kosovës në pjesën e parë erdhi në minutën e 41-të, kur Lindrit Kamberi goditi me kokë, por topi u përplas në traversë, duke ia mohuar Dardanëve golin e epërsisë.
Kështu, pas 45 minutave lojë, Kosova dhe Izraeli shkojnë në pushim me rezultat 0-0, ndërsa ekipi ynë ka treguar më shumë iniciativë dhe ka qenë shumë pranë golit në disa raste./Telegrafi/









































