Alarm sigurie në bazën ajrore amerikane RAF Lakenheath, në Britaninë e Madhe.
Personeli ushtarak amerikan është urdhëruar të strehohet në ambiente të sigurta, pas njoftimeve për praninë e dronëve të paautorizuar mbi bazën ajrore amerikane.
Forcat Ajrore të Shteteve të Bashkuara konfirmuan se ekipet e sigurisë reaguan menjëherë ndaj dronit të dyshimtë.
Sipas autoriteteve, nga incidenti nuk pati persona të lënduar dhe as dëme në avionë apo në infrastrukturën e bazës.
Një zëdhënës i Ministrisë britanike të Mbrojtjes bëri të ditur se autoritetet janë në koordinim me palët përkatëse për të verifikuar rrethanat e ngjarjes dhe origjinën e dronit.
Vetëm pak ditë më parë, ushtria amerikane zhvendosi më shumë se 12 avionë luftarakë nga baza RAF Mildenhall, pas raportimeve për kërcënime të sigurisë që dyshohet se lidhen me Iranin.
Ndërkohë, muajin e kaluar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës zhvendosën edhe bombarduesit e tyre nga baza RAF Fairford, pas kërcënimeve të tjera të raportuara si të lidhura me Iranin, duke i rikthyer avionët në territorin amerikan.
Megjithatë, deri më tani, autoritetet amerikane dhe britanike nuk kanë konfirmuar nëse prania e dronëve mbi RAF Lakenheath ka ndonjë lidhje me kërcënimet e mëparshme.










