Politikë

‘Rama, shah-mat me Ballukun’, Bardhi pas Asamblesë së PS: E ka mbrojtur me kartona në Parlament, është peng i saj!

Kur sot u mblodh Asambleja e PS-së, ku u morën disa vendime të rëndësishme, kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, është shprehur se kryeministri Edi Rama është kapur ‘shah-mat’ me rastin e ish-zv.kryeministres Belinda Balluku.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Bardhi ka shkruar se sado që kryeministri të përpiqet të ‘lajë duart’, nuk mund të fshehë përgjegjësinë e tij për atë që ai e cilësoi si operacion politik të mbrojtjes së Ballukut nga Drejtësia.

Duke kujtuar votimin në Kuvend kundër kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të Ballukut, Bardhi shprehet se kryeministri Rama e mbron Ballukun jo përmes fjalëve, por përmes kartonave në parlament.

LEXO EDHE: “Unë për ty isha Skënderbeu, ti nga Mamica u bëre flamingo”, Rama kërkoi përjashtimin e Spiropalit! Replika e deputetes: Jam kundër atyre që abuzojnë me pushtetin!

Teksa thekson se Rama mund të jetë peng i Ballukut, Bardhi thotë se kryeministri mund të jetë në pazar me segmente të caktuara të SPAK-ut për të ndarë pushtetin e korruptuar.

Reagimi i Bardhit:

EDI RAMA, SHAH-MAT ME BELINDA BALLUKUN

Në rastin e Belinda Ballukut, Edi Rama është kapur shah-mat. Sado të përpiqet të lajë duart, nuk mund të fshehë përgjegjësinë e tij për operacionin politik të mbrojtjes së Belinda Ballukut nga drejtësia.

Nuk duhen fjalët e Edi Ramës për të zbuluar mashtrimet e tij. Mjaftojnë veprat.

82 vota të shumicës së tij qeverisëse, më 12 mars 2026, refuzuan kërkesën e SPAK-ut për autorizimin e arrestimit të Belinda Ballukut.

Kjo është avokatia e Edi Ramës për Belinda Ballukun: jo me fjalë, por me kartonë në Parlament.

Këtë vendim e ka evidentuar edhe Komisioni Europian në raportin e fundit për Shqipërinë, duke ngritur shqetësime serioze për kontrollin dhe balancën ndërmjet pushteteve, si dhe për respektimin e parimit të barazisë përpara ligjit.

Edi Rama mund të jetë peng i Belinda Ballukut. Mund të jetë në pazar me segmente të SPAK-ut për të ndarë pushtetin e korruptuar, por Shqipëria nuk meriton të mbetet peng i tyre.

Rruga europiane e Shqipërisë nuk mund të mbahet peng nga korrupsioni, mbrojtja politike e Belinda Ballukut dhe pazaret e drejtësisë politike.