Kërkesa e Edi Ramës për përjashtimin e Elisa Spiropalit nga Partia Socialiste ka hasur kundërshti edhe brenda radhëve të mazhorancës.
Pas Fatmir Xhafajt, edhe deputeti Erion Braçe ka dalë kundër kësaj kërkese. Sipas burimeve, gjatë diskutimeve ai ka argumentuar se PS-ja nuk ka pasur si praktikë përjashtimin e anëtarëve për shkak të qëndrimeve të tyre, duke theksuar se liria për të shprehur mendimin ka qenë një prej forcave të partisë.
“Kjo parti nuk ka përjashtuar ndonjëherë një njeri, mesa njoh unë. Mendoj se forca e partisë ka qenë liria, për të thënë atë që mendojnë”, mësohet të jetë shprehur Braçe.
Kundër përjashtimit të Spiropalit janë shprehur gjithashtu Fatmir Xhafaj dhe Pandeli Majko, duke bërë që kërkesa e Ramës të ndeshë rezistencë edhe nga figura të tjera të PS-së.













