Shkaktoi vdekjen e futbollistit Jesus de Miguel, vendoset dënimi për portierin Owono

Komiteti Disiplinor i Federatës Spanjolle të Futbollit (RFEF) ka marrë vendimin përfundimtar për portierin e FC Andorra-s, Jesus Owono, duke e dënuar me 12 ndeshje pezullim, pas ndërhyrjes së rëndë ndaj sulmuesit të Tenerife-s, Jesus de Miguel, i cili ndërroi jetë një ditë pas incidentit.
Ngjarja tragjike ndodhi më 2 nëntor, gjatë përballjes mes Tenerife-s dhe FC Andorra-s, e vlefshme për javën e 12-të të kampionatit të kategorisë së dytë spanjolle.
Në minutat e fundit të takimit, Owono doli nga porta për të ndërhyrë në një top të lartë, por goditi me këmbë të ngritur sulmuesin Jesus de Miguel. Për këtë veprim, arbitri e ndëshkoi menjëherë me karton të kuq.
Futbollisti 30-vjeçar mori ndihmën e parë në fushë dhe u transportua me urgjencë në spital, por fatkeqësisht ndërroi jetë mëngjesin e 3 nëntorit, duke tronditur të gjithë futbollin spanjoll.
Pas shqyrtimit të rastit, Komiteti Disiplinor vendosi të aplikojë nenin 102 të Kodit Disiplinor të RFEF-së, i cili parashikon pezullimin nga 4 deri në 12 ndeshje për shkelje të rënda gjatë lojës që shkaktojnë pasoja serioze te kundërshtari.
Në vendimin e tij, Komiteti theksoi se ashpërsia e ndërhyrjes, kontakti i dhunshëm dhe përdorimi i forcës së tepruar justifikonin aplikimin e masës maksimale të parashikuar nga rregullorja. Përveç pezullimit, portieri është ndëshkuar edhe me gjoba financiare shtesë.
Ndërkohë, kjo është një masë disiplinore sportive dhe nuk përbën një vendim për përgjegjësinë penale të portierit, pasi rrethanat e ngjarjes janë objekt i një hetimi të veçantë.
Vetë Owono ka kaluar ditë shumë të vështira pas tragjedisë, duke e cilësuar humbjen e De Miguel si periudhën më të dhimbshme të jetës së tij.




