Rusia nuk lëshon pe për territoret e Ukrainës, Putini mban qëndrimin e ashpër në negociatat për paqe - Insajderi
×
  • Lajme
  • Botë
  • Botë

    Rusia nuk lëshon pe për territoret e Ukrainës, Putini mban qëndrimin e ashpër në negociatat për paqe

    Insajderi
    14 November 2026 - 16:50
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Pas tri ditësh bisedimesh me negociatorët ukrainas dhe rusë, si dhe me presidentët e të dyja vendeve, i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara, Jared Kushner, tha se diplomacia kishte prodhuar “përparim domethënës” drejt arritjes së një marrëveshjeje të shumëkërkuar për t’i dhënë fund luftës së Moskës kundër Ukrainës.

    Megjithatë, nuk pati asnjë shenjë publike se Rusia është e gatshme të bëjë lëshime që mund ta afronin arritjen e një marrëveshjeje. Përkundrazi, si presidenti Vladimir Putin, ashtu edhe kryenegociatori i tij kanë dhënë herë pas here sinjale tejet të panegociueshme për çështje kyçe, përfshirë kërkesat territoriale në Ukrainë dhe ndryshimet e dëshiruara në arkitekturën afatgjate të sigurisë evropiane.

    Pas dy ditësh bisedimesh trepalëshe në Abu Dabi dhe takimeve të ndara të Shteteve të Bashkuara me Putinin dhe presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, më 12 nëntor, më poshtë ju sjellim një përmbledhje e qëndrimeve të deklaruara të Rusisë për çështjet që mund të jenë vendimtare për përmbylljen e një marrëveshjeje paqeje.

    Donbasi dhe shumë më tepër
    Për shumë muaj, Putini dhe zyrtarë të tjerë kanë theksuar se kontrolli i plotë rus mbi Donbasin, që përfshin rajonet e Donjeckut dhe Luhanskut në lindje të Ukrainës, është parakusht për çdo marrëveshje paqeje.

    Rusia nxiti luftën në Donbas në vitin 2014, pas pushtimit të Gadishullit të Krimesë, dhe kontrollonte pjesë të Donjeckut dhe Luhanskut shumë kohë përpara se Putini të niste pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, në shkurt të vitit 2022.

    Tani ajo pushton pothuajse të gjithë Luhanskun dhe rreth 80 për qind të Donjeckut. Megjithatë, forcat e saj nuk kanë arritur ta pushtojnë pjesën e mbetur të këtij rajoni, përfshirë atë që njihet si “brezi i fortifikuar”, ku bëjnë pjesë qytetet Slovjansk dhe Kramatorsk, pavarësisht viteve të luftimeve vdekjeprurëse.

    Putini ka thënë vazhdimisht se Rusia do ta marrë pjesën e mbetur të rajonit me forcë nëse nuk arrin ta sigurojë atë përmes diplomacisë. Zelensky thotë se Kievi nuk do të heqë dorë, as formalisht dhe as de facto, nga territoret që ushtarët e tij kanë luftuar fort për t’i mbrojtur.

    Megjithatë, oreksi i Kremlinit nuk ndalet te Krimea dhe Donbasi. Në shtator të vitit 2022, Moska pretendoi pa asnjë bazë se rajonet e Donjeckut, Luhanskut, Zaporizhias dhe Hersonit ishin të gjitha pjesë e Rusisë.

    Rusia kontrollon shumicën e rajoneve të Hersonit dhe Zaporizhias, por nuk i mban nën kontroll kryeqytetet e tyre, të cilat kanë të njëjtët emra. Forcat ruse e pushtuan Hersonin në fillim të luftës në shkallë të plotë, por u dëbuan prej andej dhe u detyruan të tërhiqeshin përtej lumit Dnjepër në nëntor të vitit 2022.

    Territoret kufitare
    Në disa raste, Rusia ka dhënë sinjale të përziera lidhur me atë nëse është e gatshme të kënaqet me kontrollin e pjesshëm mbi Hersonin dhe Zaporizhian, apo edhe të tërhiqet potencialisht nga këto rajone si pjesë e një marrëveshjeje paqeje.

    Këtë javë nuk pati paqartësi të tilla.

    Në një takim në Kremlin më 12 nëntor me Kushnerin dhe të dërguarin tjetër amerikan, Steve Witkoff, Putini pretendoi se Kievi kishte “ngritur pyetje për zonat gri” dhe shtoi: “Për ne, ekziston vetëm një vijë demarkacioni: vija e kufirit shtetëror”.

    Kufiri i vërtetë shtetëror, që nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, është i qartë dhe i përfshin të pesë rajonet që Rusia pretendon brenda territorit të Ukrainës.

    Por, Putini nuk po fliste për kufirin e vërtetë. Ai e kishte fjalën për kufirin ashtu siç e sheh Rusia që nga viti 2022 dhe nënkuptonte se Moska dëshiron një marrëveshje paqeje që do t’i bënte të gjitha këto rajone pjesë të Rusisë, përfshirë edhe pjesët që aktualisht kontrollohen nga Kievi.

    Në televizionin shtetëror rus, kryenegociatori i Moskës, Vladimir Medinsky, bëri deklarata luftarake për të njëjtën çështje, duke thënë se “aty ku është ngritur flamuri rus, ai nuk duhet të ulet”, dhe duke përsëritur një deklaratë të mëparshme të Putinit se “aty ku ka shkelur këmba e një ushtari rus, ajo tokë është e jona”.

    Më konkretisht, ai la të kuptohej se, përveç rajoneve që Rusia i pretendon zyrtarisht si të sajat, Moska nuk planifikon të heqë dorë nga kontrolli mbi territoret përgjatë kufirit shtetëror në rajonet ukrainase të Harkivit dhe Sumit, në veri të Donbasit. Së bashku me tokat e pushtuara nga Rusia në rajonin e Dnipropetrovskut, këto pjesë territori janë konsideruar nga vëzhguesit si toka nga të cilat Rusia mund të hiqte dorë si pjesë e një kompromisi.

    Por Medinsky vuri në dukje se Putini kishte urdhëruar forcat ruse të krijonin një “zonë sigurie” përgjatë kufirit, brenda territorit të Ukrainës, duke shtuar: “Kjo zonë tani është mjaft e gjerë. Ajo po zgjerohet dhe do të vazhdojë të zgjerohet. Nuk shoh asnjë mundësi për shkëmbimin e këtyre territoreve”.

    Retorika mbetet retorikë dhe, pas bisedimeve trepalëshe mes Shteteve të Bashkuara, Ukrainës dhe Rusisë në Abu Dabi më 11 nëntor, një negociator amerikan, duke folur në kushte anonimiteti, raportoi se kishte vërejtur “pak fleksibilitet” nga të dyja palët.

    Por, pavarësisht synimeve të Moskës, këto deklarata vendosën një ton të panegociueshëm.

    Deklarata e Putinit ishte “një përsëritje e qartë e qëndrimit të ashpër për territorin, i cili është shfaqur gjatë vitit të fundit” dhe “nuk lë shumë hapësirë për negociata – të paktën për këtë çështje”, shkroi në X Samuel Charap, shkencëtar i lartë politik në Korporatën Rand.

    Një “Jaltë e re dhe moderne”
    Zyrtarët rusë kanë qenë disi më pak konkretë lidhur me atë se çfarë kërkojnë saktësisht nga bisedimet për një çështje që tani është bërë qendrore në procesin negociator të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara: krijimin e mundshëm të një arkitekture të re evropiane të sigurisë.

    Më 5 nëntor, Trump foli për mundësinë e një “marrëveshjeje të madhe dhe të bukur”, e cila “do të përfshijë më shumë sesa Ukrainën”. Kushner vazhdoi këtë ide duke shkruar për atë që e quajti “nevojën për një arkitekturë më të gjerë evropiane të sigurisë, e cila mund të ndihmojë në krijimin e kushteve për një paqe të qëndrueshme”.

    Ndonëse është shfaqur vetëm tani si fokus i bisedimeve, kjo ide nuk është aspak e re për Rusinë. Ajo daton të paktën që nga ardhja e Putinit në pushtet, më shumë se një çerek shekulli më parë, kur Moska nisi të kërkonte përmbysjen e humbjeve të saj gjeopolitike të Luftës së Ftohtë dhe rikthimin e ndikimit të saj në kontinentin evropian.

    Medinsky i dërgoi një mesazh kërcënues Kievit dhe Evropës për këtë çështje, duke i thënë televizionit rus se synimi i Moskës është krijimi i një “Jalte dhe Potsdami të ri e modern” – referencë kjo për takimet e vitit 1945, në të cilat Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Sovjetik dhe Britania vendosën për fatin e pjesëve të Evropës së pasluftës.

    Kjo vjen në kohën kur Rusia shpreson për një samit mes Putinit, Trumpit dhe presidentit kinez, Xi Jinping, në samitin APEC që do të mbahet në Kinë më 18-19 nëntor. Zelensky paralajmëroi se një takim i tillë mund të shndërrohet në një “rishpërndarje të sferave të ndikimit”.

    Medinsky tha se një sistem i ri gjithëpërfshirës i sigurisë mund të “ruajë paqen për dekada, ndoshta edhe për shekuj”. Megjithatë, kjo nismë ka ngritur frikën në Evropë dhe Ukrainë se fuqitë e mëdha mund të përpiqen të vendosin vetë për fatin e tyre – dhe se Rusia, në vend që të ndëshkohet për agresionin e saj, mund të shpërblehet me ndikim më të gjerë.

    Nuk lejohen trupa ushtarake
    Një tregues i mundshëm për atë që Rusia shpreson konkretisht mund të gjendet në projektmarrëveshjet që ajo u dërgoi Uashingtonit dhe NATO-s në dhjetor të vitit 2021. Ato u konsideruan ultimatume, të paraqitura në kohën kur Rusia po grumbullonte trupa përgjatë kufijve të Ukrainës. Pushtimi në shkallë të plotë pasoi dy muaj më vonë.

    Kërkesat e Rusisë ishin të jashtëzakonshme dhe nënkuptonin përmbysjen e disa prej rezultateve të Luftës së Ftohtë. Pranimi i tyre do të nënkuptonte heqjen dorë nga çdo zgjerim i mëtejshëm i NATO-s, ndalimin e anëtarëve të saj për të zhvilluar aktivitete ushtarake në Ukrainë apo në vende të tjera të rajonit, si dhe tërheqjen e dislokimeve ushtarake pas kufijve të vendeve që ishin pjesë e Aleancës në vitin 1997 – përpara se ndonjë prej ish-shteteve satelite të Bashkimit Sovjetik t’i bashkohej asaj.

    Në disa raste, nuk është e qartë se sa përputhen qëndrimet aktuale të Rusisë në bisedime me kërkesat e saj të vitit 2021 apo, për shembull, me propozimet që ajo ka bërë në bisedimet e mëparshme gjatë luftës, siç ishte kërkesa për kufizim të rreptë të madhësisë së ushtrisë ukrainase.

    Në një konferencë në Moskë më 11 nëntor, një zyrtar i Ministrisë së Jashtme ruse përshkroi disa lloje marrëveshjesh që mund të jenë pjesë e një sistemi të ri evropian të sigurisë, raportoi agjencia Reuters. Këto përfshijnë një aleancë të mbrojtjes kolektive dhe pakte dypalëshe të mossulmimit ose të ndihmës së ndërsjellë mes Moskës dhe anëtarëve individualë të NATO-s.

    Analistët thonë se Kremlini preferon të merret me shtetet evropiane në baza dypalëshe, në vend që të negociojë me NATO-n apo Bashkimin Evropian, pjesërisht sepse kjo i mundëson Moskës të nxisë përçarje.

    Ndërkohë, Rusia ka vazhduar të kërkojë që Ukrainës t’i ndalohet përgjithmonë anëtarësimi në NATO. Ajo ka kundërshtuar ashpër idenë e garancive të sigurisë për Kievin që do të ishin të përafërta me nenin 5 të traktatit të Aleancës, i cili përcakton se një sulm i armatosur kundër një anëtari konsiderohet sulm kundër të gjithë anëtarëve.

    Gjithashtu, gjatë takimit me Kushnerin dhe Witkoffin, Putini la të kuptohej se çdo plan për dislokimin e trupave perëndimore në Ukrainë pas një marrëveshjeje paqeje do të ishte i papranueshëm për Rusinë, duke thënë: “Ne kemi folur tashmë për këtë: Për ne, ata janë objektiv legjitim, që do të thotë se lufta do të rifillonte menjëherë”./REL/


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark