Shqipëria U-19 shkatërron Armeninë, Muslika shkëlqen me dopietë

Kombëtarja shqiptare U-19 ka marrë një tjetër fitore fantastike në kualifikueset e Kampionatit Europian 2027, duke mposhtur Armeninë me rezultatin e pastër 4-0.
Protagonisti kryesor i kësaj sfide ishte Armend Muslika, i cili realizoi dy gola, duke konfirmuar edhe një herë talentin e tij. Mesfushori kuqezi zhbllokoi rezultatin që në minutën e 4-t, me një goditje fantastike dënimi, ndërsa realizoi sërish në minutën e 45+3-të.
Në pjesën e dytë, Alen Vukaj shënoi golin e tretë në minutën e 61-të, ndërsa Gabriel Kulla vulosi triumfin me rrjetën e katërt në minutën e 75-të.
Kuqezinjtë e drejtuar nga Fatjon Tafaj zhvilluan një ndeshje bindëse, duke dominuar kundërshtarin dhe duke treguar potencialin e madh të kësaj grupmoshe.
Kjo ishte fitorja e dytë radhazi për Shqipërinë U-19, pas suksesit 4-0 ndaj Qipros në ndeshjen e parë. Me gjashtë pikë të grumbulluara në dy takime, kuqezinjtë kanë siguruar vendin e parë në grup dhe ngjitjen në Ligën A për raundin e tretë të kualifikueseve të Europianit U-19 2027.
Një fillim fantastik për të rinjtë shqiptarë, që po japin sinjale shumë pozitive për të ardhmen!




