Kristjan Asllani: Me Bjellorusinë duam vetëm fitoren, kjo fanellë kërkon mbi 100% angazhim

Kristjan Asllani: Me Bjellorusinë duam vetëm fitoren, kjo fanellë kërkon mbi 100% angazhim

19:15, 14/11/2026

Mesfushori i Kombëtares shqiptare, Kristjan Asllani, ka dalë në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes së fundit të kuqezinjve në këtë edicion të Ligës së Kombeve, ndaj Bjellorusisë.

Nga Budapesti, ku do të zhvillohet takimi, futbollisti ka theksuar rëndësinë e marrjes së tri pikëve, pasi Shqipëria synon ta mbyllë grupin në vendin e parë.

Asllani u shpreh se skuadra është në gjendje të mirë fizike dhe e përgatitur për këtë përballje, duke nënvizuar se objektivi është vetëm fitorja.

“Gjendja është shumë e mirë. Sot kemi zhvilluar seancën e fundit stërvitore në mëngjes, ndërsa tani na mbetet të bëjmë edhe analizën e kundërshtarit. Jemi gati dhe nuk duhet të mendojmë shumë. Do të synojmë vetëm tri pikët. Mund të them se do të hyjmë në fushë me shumë karakter dhe forcë fizike. Në ndeshjen në Tiranë hasëm vështirësi, por ne i dimë detyrat tona dhe e duam këtë fitore”, deklaroi mesfushori.

Duke u ndalur te suksesi i fundit ndaj Finlandës, Asllani theksoi se përfaqësimi i fanellës kuqezi kërkon angazhim maksimal nga çdo futbollist.

“Kur vesh këtë fanellë, duhet të japësh më shumë se 100%. Kemi zhvilluar një ndeshje të mirë ndaj Finlandës, përpara tifozëve tanë, por tani jemi të fokusuar plotësisht te përballja me Bjellorusinë”, u shpreh ai.

Mesfushori foli edhe për mungesat në skuadër, duke përmendur në veçanti Ramadanin, i cili nuk do të jetë i disponueshëm për shkak të kartonit. Megjithatë, ai siguroi se grupi është gati për të përballuar këtë sfidë.

“Mungesat nuk janë problem. Ramadanit i erdhi kartoni dhe na vjen keq për këtë, por të gjithë të tjerët jemi gati. Kombëtarja nuk luhet për individët, por për të gjithë shqiptarët”, theksoi Asllani.

I pyetur nëse synon të gjejë rrugën e rrjetës, mesfushori pranoi se dëshiron të shënojë, por bëri të qartë se rezultati i skuadrës është mbi gjithçka.

“Unë nuk jam sulmues, edhe pse kam shumë dëshirë të shënoj. Megjithatë, më e rëndësishmja është të marrim tri pikët dhe të largohemi me fitore”, përfundoi ai.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco