Italia ka dhënë sinjalin zyrtar të gatishmërisë për përfshirjen e Gjermanisë në programin GCAP (Global Combat Air Programme), projekt i përbashkët për zhvillimin e avionit luftarak të gjeneratës së gjashtë. Qeveria e Giorgia Melonit mohoi raportimet se Roma ishte kundër pjesëmarrjes së Berlinit, duke nënvizuar se Italia ka qenë gjithmonë e hapur për zgjerimin e bashkëpunimit. Raportimet e Financial Times u cilësuan si “tërësisht çorientuese”; sipas Italisë, propozimi për një përfshirje fillestare të Gjermanisë si vëzhguese synonte lehtësimin e shkëmbimit të informacionit dhe përshpejtimin e procesit drejt anëtarësimit të plotë, pa cenuar afatet e projektit.
GCAP është bashkëpunim mes Italisë, Britanisë së Madhe dhe Japonisë përmes kompanive Leonardo, BAE Systems dhe Mitsubishi, dhe synon hyrjen në shërbim të avionit të gjeneratës së gjashtë në vitin 2035. Projekti konsiderohet si një sistem i integruar ushtarak, pasi përveç avionit përfshin teknologji të avancuara për komunikim dhe koordinim me radarë, satelitë, dronë dhe forcat tokësore. Vlera e programit vlerësohet në mbi 100 miliardë euro.
Hyrja e Gjermanisë do të mund të lehtësonte barrën financiare për Italinë dhe Britaninë e Madhe, të cilat përballen me kosto të konsiderueshme për realizimin e projektit. Megjithatë, zgjerimi i partneritetit mund të shkaktojë debate mbi ndarjen e kontratave dhe të punës mes kompanive pjesëmarrëse. Pritet që Gjermania të kërkojë përfshirjen e Airbus në prodhimin e avionëve, çka do të detyronte rishikimin e ndarjes së përgjegjësive dhe përfitimeve ekonomike.
Japonia ka shprehur shqetësime për çdo vonesë të mundshme, pasi thekson rëndësinë e afatit të vitit 2035 përballë zgjerimit të shpejtë të kapaciteteve ushtarake të Kinës. Nga ana tjetër, Berlini po shqyrton alternativa të tjera: një grup ekspertësh të mbrojtjes në Gjermani ka rekomanduar shqyrtimin e bashkëpunimit me kompaninë suedeze Saab, ndërsa një mundësi tjetër është zhvillimi i një avioni të pavarur, por Gjermanisë i mungon aktualisht eksperienca teknologjike për një projekt të tillë të vetëmenaxhuar.
