Kancelari gjerman, Friedrich Merz, i ka kërkuar presidentit amerikan, Donald Trump, të shmangë çdo vendim të papritur gjatë takimit të pritshëm me presidentin rus, Vladimir Putin, në Kinë javën e ardhshme.
Sipas Reuters, Merz shprehu shqetësimin se takimi mund të përsërisë atë që ndodhi gjatë samitit Trump-Putin në Alaskë, duke kërkuar që Uashingtoni të koordinohet me Evropën dhe Ukrainën për çdo hap që lidhet me luftën.
“Disa këtu në Dublin kanë frikë se mund të përsëritet skenari i Alaskës. Prandaj, dua t’ia përcjell shumë qartë mesazhin tonë Shteteve të Bashkuara të Amerikës: ju lutemi, pa surpriza. Vazhdoni të veproni në kuadër të ekipit të Evropës dhe ekipit të Ukrainës”, deklaroi Merz.
Kancelari gjerman theksoi se negociatat për paqen duhet të përfshijnë edhe përfaqësuesit evropianë, duke argumentuar se siguria e Ukrainës pas përfundimit të luftës duhet të jetë një nga çështjet kryesore të diskutimit.
Ai kundërshtoi gjithashtu kërkesën e Moskës për të vendosur në qendër të negociatave arkitekturën e sigurisë evropiane, duke theksuar se ky kuadër ekziston përmes NATO-s.
“Diskutimet e ardhshme duhet të përqendrohen në një çështje kryesore: në çfarë kuadri mund të garantohet siguria e Ukrainës pasi të arrihet paqja? Por, fillimisht, duhet të arrijmë paqen”, u shpreh kancelari.
Ndërkohë, Merz po kërkon edhe mbështetjen e vendeve të Bashkimit Evropian për vazhdimin e ndihmës ndaj Ukrainës, në kuadër të diskutimeve për buxhetin afatgjatë të unionit.
Takimi i pritshëm Trump-Putin, me pjesëmarrjen edhe të presidentit kinez Xi Jinping, zhvillohet në një moment delikat për marrëdhëniet ndërkombëtare, ndërsa lufta në Ukrainë dhe garancitë e sigurisë mbeten çështjet kryesore në tryezën e diplomacisë.
