Franca përballet me protesta për të pestën javë, sindikatat paralajmërojnë grevë të re

Europë | 1 minutë më parë

Mijëra qytetarë, studentë, nxënës dhe anëtarë të sindikatave dolën sërish në rrugët e Francës këtë të shtunë, në një valë të re protestash kundër rritjes së kostos së jetesës, problemeve në sistemin arsimor dhe politikave të qeverisë.

Demonstruesit ngritën një sërë kërkesash, që nga rritja e kostos së jetesës dhe financimi i arsimit, deri te mbrojtja më e madhe për fëmijët dhe të rinjtë, si dhe kundërshtimi i ligjit të ri për policinë.

Në Paris, protestuesit u mblodhën në Sheshin e Republikës, një nga pikat simbolike të protestave të mëdha në Francë. Ndërkohë, manifestime u zhvilluan edhe në dhjetëra qytete të tjera të vendit.

“Ne kërkojmë që të ketë mësues kur shkojmë në klasë. Kërkojmë që tavanet të mos na shemben mbi kokë kur hamë në mensë. Kërkojmë që, kur të marrim diplomën, të kemi mundësi të vazhdojmë studimet universitare”, deklaroi Marius Mesnil, bashkësekretar i Sindikatës së Nxënësve.

Franca prej më shumë se një muaji po përballet me protesta dhe bllokime shkollash, ndërsa pakënaqësitë sociale janë shtuar në disa sektorë.

Sipas Ministrisë së Brendshme franceze, rreth 106 mijë persona morën pjesë në protestat e së shtunës në të gjithë vendin, ndërsa 24 mijë prej tyre në Paris. Organizatorët pretendojnë se numri i pjesëmarrësve ishte dukshëm më i lartë, duke folur për rreth 200 mijë protestues në shkallë kombëtare, prej të cilëve 100 mijë në kryeqytet.

Megjithatë, pjesëmarrja në protestën e së shtunës rezultoi më e ulët krahasuar me mobilizimet e javëve të fundit. Demonstrata më e madhe u zhvillua gjatë grevës së përgjithshme të organizuar nga sindikatat të enjten, kur në rrugët e Francës dolën mbi gjysmë milioni persona.

Sindikatat kanë paralajmëruar një tjetër grevë kombëtare javën e ardhshme, duke refuzuar propozimin e qeverisë për rritjen e pagës minimale me 0.6%, të cilin e konsiderojnë të pamjaftueshëm për të përballuar rritjen e kostos së jetesës.

“Qeveria na ka dhënë vetëm thërrime, ndërsa ne duam të gjithë furrën”, deklaroi Benjamin Ball, anëtar i lëvizjes së “Jelekëve të Verdhë”.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme