4500 fluturime të anuluara! Ja pse ndodhi kaosi në aeroportet amerikane

4500 fluturime të anuluara! Ja pse ndodhi kaosi në aeroportet amerikane

21:18, 14/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Kompanitë ajrore anuluan 4,500 fluturime në SHBA dhe vonuan 4,400 të tjera të shtunën, ndërsa vendi po përpiqet të rikthejë normalitetin pas ndërprerjes më të gjatë të fluturimeve në shkallë kombëtare që nga sulmet e 11 shtatorit 2001.

Kreu i Administratës Federale të Aviacionit (FAA), Bryan Bedford, kërkoi falje për kaosin e krijuar, duke deklaruar se situata është stabilizuar dhe se pret që operacionet e kompanive ajrore të rikthehen kryesisht në normalitet deri të dielën në mbrëmje.

Të premten, FAA urdhëroi ndalimin e fluturimeve në të gjithë vendin për gati pesë orë, për shkak të një defekti masiv në sistemin e komunikimit. Si pasojë, kompanitë ajrore anuluan afro 10 mijë fluturime dhe vonuan më shumë se 7 mijë të tjera, duke e kthyer ditën në një nga më të vështirat në historinë e transportit ajror amerikan.

Ngjarja bëri që Shtëpia e Bardhë të thërriste një mbledhje urgjente në Dhomën e Situatave të premten, ndërsa agjencitë federale nisën hetimet për të përcaktuar nëse bëhej fjalë për një sulm kibernetik. Megjithatë, sekretari i Transportit, Sean Duffy, deklaroi të shtunën se ndërprerja u shkaktua nga instalimi i të paktën një ruteri të ri në një objekt të largët nga kompania L3Harris, kontraktore e FAA-së.

“Po përpiqemi të përcaktojmë nëse kemi të bëjmë me paaftësi, pra nëse ishte gabim i përdoruesit apo i instaluesit nga L3Harris, apo nëse ata instaluan një ruter me defekt. Ende nuk e kemi përcaktuar shkakun e saktë”, tha Duffy në një konferencë për shtyp.

Defekti shkaktoi mbingarkesë të sistemeve të të dhënave në qendrat e tjera të komunikimit.

“Kishim më shumë se 1,000 përpjekje për lidhje çdo katër deri në pesë sekonda. Kjo krijoi probleme në komunikimin tonë me avionët dhe shkaktoi gjithashtu ndërprerje në sistemin e radarëve”, shpjegoi Duffy.

Problemi preku komunikimin në 17 nga 22 qendrat e kontrollit të fluturimeve në SHBA, të cilat monitorojnë avionët gjatë fazës së fluturimit në lartësi. Kreu i FAA-së, Bedford, tha se urdhri për ndalimin e fluturimeve u dha për të parandaluar një situatë ku ndonjë prej qendrave mund të humbiste plotësisht komunikimin.

“ asnjë strukturë nuk doli jashtë funksionit. Nuk pati humbje të plotë të komunikimit”, shtoi Bedford.

FAA njoftoi se po kryen teste të tjera me kompaninë L3Harris për të përcaktuar nëse ekzistojnë rreziqe shtesë.

Delta Air Lines, United Airlines dhe American Airlines anuluan secila rreth 20% të fluturimeve të tyre të shtunën, ndërsa JetBlue anuloi 40%. Kompanitë ajrore kanë ofruar mundësinë që pasagjerët të ndryshojnë datën e udhëtimit pa pagesë shtesë.

Megjithëse FAA e hoqi urdhrin për ndalimin e fluturimeve të premten në mbrëmje, problemet për pasagjerët vazhduan. Dhjetëra mijëra persona mbetën të bllokuar në aeroporte, ndërsa kompanitë ajrore po përpiqeshin të riorganizonin ekuipazhet dhe personelin tjetër për të rifilluar fluturimet.

Ndërprerja la të bllokuara edhe disa ekipe universitare të futbollit amerikan, të cilat duhej të udhëtonin të premten për ndeshjet e planifikuara të së shtunës.

Sipas dy zyrtarëve të kompanive ajrore, ndalimi i fluturimeve u vendos pas një defekti që duket se preku një rrjet përgjegjës për frekuencat radiofonike kritike, të cilat kontrollorët e trafikut ajror përdorin për të komunikuar me pilotët. Ky rrjet administrohet nga L3Harris.

Fonde për riparimin e sistemit

Ndërprerja e së premtes është sinjali më e fundit dhe më e rëndë e problemeve në sistemin amerikan të kontrollit të trafikut ajror, i cili prej kohësh përballet me teknologji të vjetëruar, defekte në pajisje dhe komunikim, si dhe mungesë të disa mijëra kontrollorëve.

Të premten, sekretari i Transportit, Sean Duffy, kërkoi 50 miliardë dollarë për modernizimin e sistemeve të kontrollit të trafikut ajror, duke rritur kërkesën e mëparshme prej 30 miliardë dollarësh.

“Kjo është një emergjencë”, deklaroi ai.

Duffy tha se problemet nisën të premten pasdite, kur qendrat e kontrollit të trafikut ajror konstatuan paqëndrueshmëri në sistemet e radarëve dhe të komunikimit.

Meqenëse vonesat e pasagjerëve u shkaktuan nga FAA, kompanitë ajrore nuk janë të detyruara të ofrojnë kompensim./Reuters/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco