
Paulin Filopati, 65 vjeç, është viktima e aksidentit të rëndë të ndodhur këtë të shtunë në aksin e vjetër Thumanë-Fushë Krujë.
Filopati ishte një emër i njohur i artit dhe folklorit mirditor, me një kontribut të gjatë në ruajtjen dhe promovimin e muzikës tradicionale. Ai ishte pjesë e Grupit të Burrave të Ansamblit Mirdita, mbante titullin “Mjeshtër i Madh” dhe ishte gjithashtu artist i Grupit Kthella.
Paulin Filopati ishte njëri prej tre vëllezërve Filopati, së bashku me Gjovalinin dhe Pashkun, të njohur për kontributin e tyre në traditën muzikore të Mirditës.
Në momentin e aksidentit pranë tij ndodhej edhe bashkëshortja, e cila, sipas njoftimit të mikut të tij Gjergj Marku, nuk ka pësuar lëndime.
Ndarja nga jeta e Filopatit ka sjellë reagime dhe mesazhe ngushëllimi nga familjarë, miq dhe përfaqësues të komunitetit artistik. Ceremonia mortore do të zhvillohet në Katedralen e Rrëshenit, ndërsa varrimi është parashikuar të mbahet të hënën, më 16 nëntor, në orën 12:00, në varrezat e Kodër Rrëshenit.